Polonia do ta mbyllë konsullatën ruse në Krakow pasi e fajësoi Rusinë për zjarrin e madh - NACIONALE

Polonia do ta mbyllë konsullatën ruse në Krakow pasi e fajësoi Rusinë për zjarrin e madh

1 vit më parë

nga NACIONALE

Polonia e thirri në takim ambasadorin rus dhe tha se do ta mbyllë konsullatën ruse në Krakow, pasi provat tregojnë se Moska ishte përgjegjëse për një zjarr të madh që kishte shkatërruar pothuajse tërësisht një qendër tregtare në Varshavë vitin e kaluar.

Rusia e ka mohuar përfshirjen në sulmin me zjarrvënie dhe e ka akuzuar Poloninë për rusofobi, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

“Ambasadori u ftua në ministri në orën 15” – tha të hënën zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Polonisë, Pawel Wronski.

Të dielën, kryeministri Donald Tusk tha se Polonia e di “me siguri” se shërbimet sekrete ruse ishin prapa zjarrit të vitit të kaluar.

“Për shkak të dëshmive se shërbimet special ruse kryen një akt të dënueshëm sabotazhi kundër qendrës tregtare në Rrugën “Marywilska”, unë kam vendosur që ta tërheq pëlqimin tim për operimin e Konsullatës së Federatës Ruse në Krakow” – shkroi në rrjetin X ministri i Jashtëm i Polonisë, Radoslaw Sikorski.

Ai u tha gazetarëve në një takim të ministrave të jashtëm në Londër se Polonia do të ndërmarrë masa të mëtejme, nëse vazhdojnë sulmet e tilla si ai ndaj qendrës tregtare.

Përfaqësues të Ministrisë së Jashtme thanë se Rusia do të ketë rreth 30 ditë afat për ta mbyllur konsullatën në Krakow, në të cilën punojnë tre diplomat dhe katër punonjës të tjerë.

Duke reaguar ndaj vendimit të Polonisë, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, gazetarëve u tha: “Shumë akuza të ndryshme kundër Rusisë shprehen në Poloni, kjo është pjesë e një pozicioni absolutisht rusofob e jomiqësor ndaj vendit tonë.”

“Për më tepër, të gjitha këto akuza janë gjithmonë absolutisht të pabaza” – shtoi ai.

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, më vonë i tha agjencisë shtetërore ruse të lajmeve, TASS, se Rusia do të kundërpërgjigjet “në mënyrën e përshtatshme” pasi të kenë përfunduar procedurat e caktuara./Nacionale

Lajme të ngjashme