Politikani serb e quan Vuçiqin 'tradhtar', moderatorja e dëbon nga emisioni - NACIONALE

Politikani serb e quan Vuçiqin 'tradhtar', moderatorja e dëbon nga emisioni

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Në Serbi, madje edhe më shumë se në Kosovë, lufta në Ukrainë ka nxitur debate të ashpra politike mes qytetarësh e politikanësh. Një në veçanti mori vëmendje gjatë ditës së djeshme, çka shtyri prezantuesen e emisionit televiziv ta dëbonte nga emisioni të ftuarin e saj.

Dje në emisionin e mëngjesit ‘Uranak’ të kanalit K1 në Serbi kanë qenë të ftuar, kryetari i Lidhjes së Social Demokratëve të Vojvodinës, Nenad Çanak, dhe konservatori nacionalist, Mllagjan Gjorgjeviq, njëherit themelues dhe kryetar i organizatës politike, Lëvizja Çlirimtare.

Tema e diskutimi ishte lufta në Ukrainë, me ç’rast u zhvillua një debat mjaft i nxehtë mes dy mysafirëve.

Çanak i cili është i njohur për deklaratat e tij kundër politikave të Putinit dhe së fundmi kundër pushtimit rus në Ukrainë, edhe një herë ka denoncuar ‘agresioin e Putinit ndaj Ukrainës si shtet i pavarur’ .

Ai tha që nëse flasim për ‘çfarëdo totalitarizmi, fashizmi, apo diç tjetër, atëherë në rend të parë duhet të përmendim Rusinë’, sepse ‘ajo që po ndodhë në Ukrainë është agresion dhe luftë’.

Çanak tha se ‘totalitarizmi të cilin Putini ia ka imponuar Rusisë dhe botës përreth tij, nuk është parë që nga koha e Hitlerit, dhe për këtë arsye, shkronja Z, sipas mendimit të tij është svastika naziste e shekullit XXI sepse simbolizon shkatërrimin e një vendi të pavarur, simbolizon sulmin ndaj Ukrainës i cili i ngjason me sulmin të Hitlerit të bërë ndaj Polonisë’, për çka tha se ‘Putini është kriminel i cili ka çuar botën buzë shkatërrimit’

Gjorgjeviq, i cili, bashkë me lëvizjen e tij është i njohur si përkrahës i zjarrtë i Rusisë dhe Putinit, reagoi ndaj deklaratave të Çanakut, duke thënë se është e turpshme që ‘të krahasohet Putini me Hitlerin’, dhe se ‘Perëndimi dhe Nato e kanë detyruar Rusinë të hyjë në luftë’, duke shtuar se ‘Rusia nuk është duke luftuar me Ukrainën por me Perëndimin’.

Çanaku vazhdoi për të komentuar kërcënimin e Putinit me armë nukleare, ku tha se ’ai nuk është duke e kërcënuar dikë atje diku, por ai po ju kërcënon juve, fëmijët tuaj, familjen tuaj, qytetin dhe popullin tuaj, ngase armët nukleare nuk janë selektive’.

Politikani socialdemokrat tha se ‘sikur për Putinin që nuk ekziston kombi ukrainas, njashtu edhe për nacionalistët serbë këtu nuk ekziston kombi malazez’, duke shtuar se ‘për Putinin, ukrainasit janë rusë të cilëve u është shpëlarë truri’, dhe se ky është narrativi ku ‘ata që nuk pranojnë të jenë në petkun e Vëllaut të Madh, nuk duhet të ekzistojnë’.

Gjatë debatit, Gjorgjeviq akuzoi presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, se ka organizuar tubim në mbështetje të Ukrainës, për çka e quajti edhe ‘tradhtar’, epitet ky që Gjorgjqeviqi - i cili është me prejardhje nga Prizreni - ia kishte thënë Vuçiqit edhe më heret kur kishte thënë se de facto, Vuçiqi e kishte pranuar Kosovën shtet.

Pas deklaratës së Gjorgjeviqit, ku e quajti Presidentin Vuçiq ‘tradhtar’, ka eskaluar polemika mes tij dhe prezantueses së emisionit, për çka kjo e fundit edhe e përzuri nga emisioni i cili po transmetohej dretpërdrejtë.

Nacionale ka zhvilluar një bisedë me z. Nenad Çanak, pjesëmarrës i këtij emisioni, e të cilën mund ta lexoni KËTU.

Lajme të ngjashme