Policia: Vrasësi e fajësonte Abe-n për falimentimin ekonomik të nënës
Policia japoneze tha të shtunën se personi që e vrau ish-kryeministrin, Shinzo Abe, besonte se politikani ishte i lidhur me një grup religjioz të cilin e fajëson për shkatërrimin financiar të nënës së vet dhe se e kishte planifikuar për disa muaj sulmin me armën artizanale.
Fqinjën e sulmuesit 41-vjeçar, Tetsuyna Yamagami, i thanë agjencisë "Reuters" se ai nuk ua kthente përshëndetjet, kur i flisnin. Ai besonte se Abe kishte promovuar një grup religjioz, të cilit nëna e tij i kishte dhënë donacione dhe kishte bankrotuar, raportoi agjencia e lajmeve "Kyodo", duke i cituar burimet e hetuesisë.
"Nëna ime u ngujua në një grup religjioz dhe unë e kundërshtova këtë", citohet t'i ketë thënë sulmuesi policisë. Policia lokale në qytetin Nara refuzoi që t'i komentonte raportimet e medieve japoneze për motivin ose përgatitjet e sulmuesit.
Medit nuk e kanë përmendur emrin e grupit të pretenduar religjioz, me të cilin thuhet se ishte i zemëruar sulmuesi i ish-kryeministrit. Sipas transmetuesit publik japonez, NHK, ai e kishte shqyrtuar përdorimin e një bombe para se ta zgjedhte sulmin me armë.
I dyshuari i tha policisë se përgatiste armë duke bërë bashkë me ngjitës dy tyta, nganjëherë tri, pesë e gjashtë tyta, me pjesë që i blinte në internet.
Yamagami jetonte në katin e tetë të një ndërtese me banesa të vogla.Një fqinje e tij, një grua 69-vjeçare, që jeton në një kat më poshtë, e pa të dyshuarin tri ditë para vrasjes së ish-kryeministrit.
"E përshëndeta, por më shpërfilli. Vetëm shikonte poshtë, në tokë, anash, nuk kishte maskë. Dukej i nevrikosur. Dukej sikur unë isha e padukshme. Dukej sikur diçka po e shqetësonte", tha fqinja./Nacionale
