Policia ukrainase me bastisje në mbarë vendin për shmangie të rekrutimit - NACIONALE

Policia ukrainase me bastisje në mbarë vendin për shmangie të rekrutimit

1 vit më parë

nga NACIONALE

Policia ukrainase tha të premten se oficerët e saj ishin duke kryer 200 bastisje në mbarë vendin si pjesë e një hetimi të vazhdueshëm për largimin e paligjshëm të burrave në moshë ushtarake nga vendi.

Kievi ka qenë duke zhvilluar një fushatë të gjerë dhe përçarëse të mobilizimit për ta fuqizuar ushtrinë, e cila po ballafaqohet me vështirësi për t’u përballur me ushtrinë ruse dukshëm më të madhe që është duke avancuar në disa pjesë të vijës së frontit, raporton gazeta “The Guardian”, duke e cituar agjencinë franceze të lajmeve, AFP.

“Forca policore kombëtare është duke kryer mbi 200 bastisje në lidhje me rastet e kalimeve ilegale të kufirit” nga burrat ukrainas që i plotësojnë kriteret për shërbim ushtarak, thuhet në një deklaratë të policisë.

Bastisjet e njoftuara të premten janë vetëm hapi më i ri në një hetim gjithëkombëtar të nisur nga organet e sundimit të ligjit javën e kaluar, kur Ukraina tha se policia ishte duke zhvilluar bastisje në rreth 600 shtëpi, zyra e vende të tjera.

Javën e kaluar, policia tha se në shënjestër të operacionit ishin kryesisht organizatorët e skemave që i ndihmojnë shmangësit e rekrutimit që ta kalojnë ilegalisht kufirin ukrainas.

Policia tha të premten se bastisjet e saj ishin duke u zhvilluar në 19 rajone dhe publikoi fotografi të oficerëve me armë duke hyrë në objekte që dukeshin si rezidenca dhe zyra private.

Lajme të ngjashme