Policia kanadeze e identifikon të dyshuarën për sulmin masiv në shkollë - NACIONALE

Policia kanadeze e identifikon të dyshuarën për sulmin masiv në shkollë

3 javë më parë

nga NACIONALE

Policia kanadeze e ka identifikuar të dyshuarën që kreu një masakër në një shkollë në provincën e Kolumbisë Britanike si një grua 18-vjeçare me të kaluar të problemeve të shëndetit mendor.

Gjashtë njerëz, përfshirë një mësues dhe pesë nxënës, u vranë në sulmin e së martës në qytezën Tumbler Ridge. Nëna dhe vëllai i të dyshuarës u gjetën të vdekur më vonë në shtëpinë e familjes, tha policia. Edhe trupi i sulmueses u gjet më vonë me një plagë të vetëshkaktuar, raporton gazeta “The Guardian”.

Sipas policisë, sulmuesja, Jesse Van Rootselaar, kishte shkuar në një shkollë të mesme në Tumbler Ridge të martën pasdite, e armatosur me një armë të gjatë dhe me një pistoletë të modifikuar. Sulmuesja hapi zjarr në drejtim të stafit të shkollës dhe nxënësve, duke vrarë një mësues e pesë nxënës të moshave 12 e 13-vjeçare.

Policia arriti brenda dy minutave pas të shtënave dhe në drejtim të policëve pati shkrepje. Kur policët hynë në shkollë, i gjetën viktimat në shkallë dhe në një klasë. U gjet edhe trupi i sulmueses.

Policia më vonë e vizitoi shtëpinë e të dyshuarës dhe i gjeti nënën e saj, 39 vjeçe, dhe vëllain e saj, 11 vjeç, të vdekur nga plagët e shkaktuara nga arma e zjarrit.

Një zyrtar policor tha se policia ishte përgjigjur në shtëpinë e të dyshuarës pas thirrjeve që lidheshin me probleme të shëndetit mendor gjatë viteve të fundit. Disa prej thirrjeve kishin të bënin edhe me armët. Zyrtari tha se, të paktën në një rast, armë zjarri ishin sekuestruar nga ajo shtëpi.

Lajme të ngjashme