Policia e Republikës Serbe i nxjerr nga ndërtesa e SIPA-s policët shtetërorë të Bosnjës
Policia e Republikës Serbe të Bosnjës të premten i nxori nga një ndërtesë në Banja Lukë oficerët e policisë shtetërore, veprim që u bë me qëllim të zbatimit të legjislacionit separatist të miratuar nga kuvendi dhe i nënshkruar nga udhëheqësi i RS-së, Milorad Dodik.
Në një konferencë për gazetarë të premten në Banja Lukë me kryeministrin në largim, Millosh Vuçeviq, Dodiku u pyet për bastisjen nga policia e Republikës Serbe ndaj ndërtesës së Agjencisë Shtetërore të Informacionit dhe Mbrojtjes (SIPA), raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

“Nëse situata është siç thoni ju, kjo do të thotë se po zbatohen ligjet e miratuara nga Republika Serbe” – tha ai.
Sipas Dodikut, sistemi gjyqësor shtetëror, prokurorët shtetërorë dhe policia shtetërore janë antikushtetues, sepse nuk janë paraparë në Marrëveshjen e Dejtonit me të cilën i ishte dhënë fund luftës së viteve 1992 – 1995.

Policia e Republikës Serbe hyri edhe në selinë qendrore të SIPA-s në Sarajevën Lindore, raportuan mediat lokale. Agjencia “Reuters” nuk mundi t’i vërtetonte në mënyrë të pavarur raportimet e mediave./Nacionale