Policia bullgare “e bllokoi shpëtimin” e emigrantëve adoleshentë që vdiqën nga acari - NACIONALE

Policia bullgare “e bllokoi shpëtimin” e emigrantëve adoleshentë që vdiqën nga acari

1 vit më parë

nga NACIONALE

Autoritetet bullgare janë akuzuar për shpërfillje të thirrjeve urgjente dhe për pengim të përpjekjeve për të shpëtuar tre adoleshentë egjiptianë, të cilët më vonë vdiqën në temperatura nën zero afër kufirit turko-bullgar në fund të dhjetorit.

Një dosje e provave të hartuara nga dy organizata humanitare, të cilën e ka parë gazeta “The Guardian”, përmban fotografi, rrëfime dhe gjeo-lokacione që pretendohet se e paraqesin dështimin e autoriteteve për t’i shpëtuar djemtë e rinj, të cilët kishin kërkuar ndihmë, përderisa po ballafaqoheshin me të ftohtin dhe ishin të humbur në malet Burgas, në juglindje të Bullgarisë.

Organizatat “No Name Kitchen” (NNK) dhe “Collettivo Rotte Balcaniche” (CRB), thonë se raporti i tyre, i quajtur “Jetë të Ngrira”, zbulon një tablo më të madhe të brutalitetit kundër emigrantëve në kufijtë e Evropës.

Kufiri i Bullgarisë me Turqinë është pikëkalim i shpeshtë për njerëzit që shpresojnë të kërkojnë azil në Evropë, por ka pasur abuzime të dokumentuara mirë ndaj të drejtave të njeriut viteve të fundit, përfshirë akuzat për kthim të paligjshëm të azilkërkuesve në Turqi. Zona është terren i vështirë, me kodra e gurë, me erëra të forta e me temperatura të ulëta në dimër.

NNK-ja dhe CRB-ja thonë se ato së pari ishin njoftuar në mëngjesin e 27 dhjetorit se ishin bërë thirrje në një linjë emergjente të hapur nga një grup i organizatave bamirëse. Thirrjet iu referuan tre adoleshentëve si “në rrezik të menjëhershëm nga vdekja” dhe dërguan lokacione me GPS.

Aktivistët më pas bënë shumë thirrje në numrin zyrtar të shërbimeve urgjente, 112, dhe u përpoqën që të arrinin vetë te djemtë egjiptianë.

Policia kufitare bullgare akuzohet se i pengoi përpjekjet për shpëtim nga organizatat, edhe pse i ishte treguar një video e njërit prej djemve në borë.

Egjiptianët, më vonë të identifikuar si Ahmed Samra, 17 vjeç, Ahmed Elawdan, 16 vjeç, dhe Seifalla Elbeltagy, 15 vjeç, më vonë u gjetën të vdekur. Ahmed Samra u gjet me “shenja të shputave të qenit dhe shenja të çizmeve përreth trupit”, të cilat, sipas raportit, “tregojnë se policia kufitare tashmë e kishte gjetur atë, ndoshta ende të gjallë ose të vdekur, por kishte zgjedhur që ta linte në të ftohtë”.

Aktivistët që ishin kthyer në vendin e ngjarjes më vonë thonë se të gjitha gjurmët ishin fshirë. Njëri prej atyre që e zbuluan trupin në borë thanë se pamja i ishte “varrosur” përgjithmonë në kujtesën e tij.

Njëri nga trupat e djemve u gjet i ngrënë pjesërisht nga një kafshë.

Një ekipi të shpëtimit i ishin konfiskuar pasaportat dhe telefonat nga policia, si dhe u ishin marrë shenjat e gishtave dhe ishin fotografuar./Nacionale

Lajme të ngjashme