Polici izraelit e vret në Jerusalem 12-vjeçarin palestinez që po hidhte fishekzjarrë - NACIONALE

Polici izraelit e vret në Jerusalem 12-vjeçarin palestinez që po hidhte fishekzjarrë

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Një djalë 12-vjeçar palestinez u qëllua për vdekje nga një polic kufitar në kampin e refugjatëve “Shuafat” në Jerusalemin e pushtuar lindor, sipas zyrtarëve të spitalit dhe një zëdhënësi të policisë izraelite.

Në një video të siguruar nga televizioni CNN, djali i quajtur Rami Al Halhouli mund të shihet duke mbajtur një fishekzjarr të ndezur mbi kokë para se të dëgjohet zhurma e një të shtëne. Djali rrëzohet në tokë porsa fishekzjarri niset nga dora e tij drejt qiellit.

Zëdhënësi i policisë izraelite tha se forcat policore u kundërpërgjigjën ndaj një “rrëmuje të dhunshme” në një kamp refugjatësh dhe një oficer policor kufitar shkrepi “drejt një të dyshuari që i rrezikoi forcat gjatë hedhjes së fishekzjarrëve ajrorë në drejtimin e tyre”.

Ky rast ndodhi në natën e tretë të muajit të shenjtë të Ramazanit, që ka qenë pikë e nxehtë në konfliktin izraelito-palestinez viteve të kaluara.

Zëdhënësi policor tha se disa individë të martën në mbrëmje gjithashtu hodhën koktejë molotovi dhe fishekzjarrë drejtpërdrejt ndaj forcave të sigurisë.

Nuk shihen forca sigurie në videon e 12-vjeçarit që po e mbante fishekzjarrin, por djali duket se po qëndronte përballë një rrethoje penguese të Bregut Perëndimor.

Policia izraelite tha se kjo ishte nata e dytë rresht që palestinezët në kampin e refugjatëve “Shuafat” shënjestruan forca policore me koktej molotovi e fishekzjarrë.

“Forca të përforcuara dhe të fshehta të Gardës Kufitare u dislokuan për t’i neutralizuar rreziqet dhe për t’i parandaluar rrëmujat e dhunshme të rendit në zonë” – tha zëdhënësi izraelit.

Djali 12-vjeçar u dërgua në repartin e traumës të spitalit “Hadassah Mount Scopus”gjendje kritike dhe u shpall i vdekur pak kohë më vonë, i thanë televizionit CNN zyrtarët e spitalit.

Nuk pati viktima në mesin e forcave izraelite që i shpërndanë protestuesit në kampin “Shuafat”, tha zëdhënësi policor.

Lajme të ngjashme