Polici australian akuzohet për vrasjen e ish të dashurit dhe partnerit të tij të ri - NACIONALE

Polici australian akuzohet për vrasjen e ish të dashurit dhe partnerit të tij të ri

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Një oficer policor në Australi të premten u ngarkua me akuzën për vdekjen e ish të dashurit dhe partnerit të tij të ri, të cilët ishin zhdukur për disa ditë dhe trupat e të cilëve nuk janë gjetur ende.

Forca Policore e Uellsit të Ri Jugor tha në një deklaratë se polici 28-vjeçar u arrestua, pasi ishte vetëdorëzuar në një stacion policor në Bondi, në periferi të Sydney-t, raporton “NBC News”.

Siç është zakon, policia nuk e publikoi emrin e policit, por mediat lokale e identifikuan atë si Beau Lamarre. Një seancë fillestare dëgjimore është caktuar për të premten.

Lamarre akuzohet për vrasjen e Jesse Baird, 26 vjeç, ish-prezantues televiziv, me të cilin thuhej se ishte takuar deri vonë, dhe partnerit të tij, Luke Davies, 29 vjeç.

Gjësendet e dy burrave, që kishin shenja gjaku në to, u gjetën të mërkurën në një kosh mbeturinash në Cronulla, tha policia në një deklaratë të mëhershme.

Policët më pas shkuan në shtëpinë e Baird-it në Paddington, ku ishte “sasi e madhe gjaku”, tha të premten hetuesi policor, Daniel Doherty.

Hetuesit gjetën edhe një plumb që përputhej me një armë zjarri që i përkiste policit të akuzuar.

Arma, që u gjet në një kasafortë armësh në stacionin policor, është konfiskuar dhe do të ekzaminohet nga mjekësia ligjore, tha Doherty.

Hetuesit besojnë se dy burrat ishin vrarë në shtëpinë e Baird-it, por ende nuk e dinë shkaktarin e saktë të vdekjes së tyre, shtoi Doherty. Ai refuzoi që të komentonte ndonjë motiv të mundshëm, por tha se policia do të zhvillojë hetime për të zbuluar nëse rasti ka të bëjë me “incident të stilit familjar”.

Lajme të ngjashme