“Po vdesim ngadalë”, CNN: Palestinezët po hanë bar e po pinë ujë të ndotur
Hanadi Gamal Saed El Jamara, 38 vjeçe, thotë se gjumi është gjithçka që mund t’i shpërqendrojë fëmijët e saj nga uria me dhimbje, që po ua gërryen barkun.
Këtyre ditëve, nëna e shtatë fëmijëve është bërë lypsare e ushqimit rrugëve plot baltë të qytetit Rafah, në jug të Gazës, raporton televizioni CNN.
Thotë se mundohet t’i ushqejë fëmijët e saj të paktën një herë në ditë, ndërkohë kujdeset edhe për bashkëshortin, i cili vuan nga kanceri e diabeti.
“Ata tash janë të dobët, gjithmonë kanë diarre, fytyrat e tyre janë të verdha”- tha El Jamara, familja e së cilës ishte zhvendosur nga veriu i Gazës. “Vajza ime 17-vjeçare më thotë se ka marramendje, burri im nuk po ha”- shtoi ajo.
Përderisa Gaza po shkon drejt urisë së plotë, civilët e zhvendosur dhe punëtorët shëndetësorë i thanë televizionit CNN se ata rrinë të uritur në mënyrë që fëmijët e tyre të mund të hanë çfarë ka. Nëse palestinezët gjejnë ujë, gjasat janë që ai të mos jetë i pijshëm. Kur kamionët me ndihma hyjnë në enklavë, njerëzit gjuhen mbi njëri-tjetrin për të kapur pako. Fëmijët që jetojnë në rrugë, pasi ishin detyruar të largoheshin nga shtëpitë e tyre nga bombardimet izraelite, qajnë dhe përleshen për bukë të ftohtë. Raportohet se ca të tjerë ecin me orë në të ftohtë për të kërkuar ushqim, duke rrezikuar që të shpërfaqen ndaj sulmeve izraelite.
“Po vdesim ngadalë. Mendoj se është madje më mirë që të vdesim nga bombat, të paktën do të jemi martirë, por tani po vdesim nga uria dhe etja”- tha nëna El Jamara.
Mohammed Hamouda, terapist mjekësor i zhvendosur në Rafah, e kujton ditën kur kolegu i tij, Odeh Al-Haw, u vra gjatë përpjekjes për të marrë ujë për familjen e tij.
Ai ishte duke pritur në radhë në një stacion uji në kampin e refugjatëve në Jabalya, në veri të Gazës, kur ai dhe dhjetëra të tjerë u goditën nga bombardimi izraelit, tha Hamouda.
“Fatkeqësisht, shumë të afërm e miq ende janë në pjesën veriore të Rripit të Gazës, duke vuajtur shumë. Ata hanë bar e pinë ujë të ndotur”- shtoi Hamouda, baba i tre fëmijëve.
Bllokada dhe kufizimet e Izraelit ndaj dërgesave me ndihma nënkuptojnë që rezervat janë dëshpërimisht në nivel të ulët, duke shkaktuar rritje çmimesh e duke e bërë ushqimin të paqasshëm për njerëzit në mbarë Gazën. Mungesa është edhe më e rëndë në pjesët veriore të enklavës, sipas OKB-së, ku Izraeli e kishte përqendruar ofensivën ushtarake në ditët e hershme të luftës. Shkëputja e lidhjeve të komunikimit i pengon përpjekjet për të raportuar rreth vdekjes nga uria e dehidrimit në rajon.
“Njerëzit therën një gomar për t’ia ngrënë mishin” – tregon Hamouda, siç i kishin thënë miqtë në Jabalya më herët këtë muaj, përderisa mungesa e ushqimit u përkeqësua.
Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli