Po detononin një tunel të Hezbollahut, vriten aksidentalisht katër ushtarë izraelitë brenda tij
Katër ushtarë izraelitë, që e humbën jetën në jug të Libanit, me gjasë u vranë nga një aktivizim aksidental i lëndës shpërthyese, përderisa po shembnin një tunel të Hezbollahut të mbushur me armë, raportoi të hënën Radioja e Ushtrisë e Izraelit.
Ushtria izraelite tha se katër ushtarët ranë në luftime, pa ofruar hollësi të mëtejme, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Radioja e Ushtrisë tha se incidenti ndodhi të dielën dhe se, sipas një shqyrtimi fillestar, detonimi i lëndës shpërthyese shkaktoi shpërthime dytësore, duke çuar në shembjen e tunelit përderisa ushtarët ndodheshin ende brenda tij.
Autoritetet izraelite nuk e fajësuan Hezbollahun për shpërthimin dhe nuk treguan nëse ky rast përbën shkelje të marrëveshjes së armëpushimit të 26 nëntorit, edhe pse të dyja palët e kanë akuzuar njëra-tjetrën për shkelje të paktit gjatë dy javëve të kaluara.