Plani i Netanyahut për Gazën e pasluftës pritet ftohtë nga ShBA-ja - NACIONALE

Plani i Netanyahut për Gazën e pasluftës pritet ftohtë nga ShBA-ja

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Një plan i paraqitur nga kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, për menaxhimin e Rripit të Gazës pas përfundimit të luftës, është pritur ftohtë në Uashington. Një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë tha se administrata e presidentit Biden ka qenë “vazhdimisht e qartë” me Izraelin për atë që do të donte të shihte në enklavën palestineze pas luftës.

Duke folur në një konferencë për gazetarë të premten, këshilltari për siguri kombëtare i ShBA-së, John Kirby, tha se “populli palestinez duhet të ketë një zë dhe një votë... përmes një Autoriteti Palestinez të rivitalizuar”, raporton gazeta “The Times of Israel”.

Kirby tha se Uashingtoni ka qenë “vazhdimisht i qartë me homologët tanë izraelitë” për atë që nevojitet. Ai shtoi se ShBA-ja nuk “beson në zvogëlimin e madhësisë së Gazës”. “Ne nuk duam që të shohim ndonjë zhvendosje të detyruar të palestinezëve jashtë Gazës dhe, natyrisht, nuk duam që ta shohim Gazën të mbizotëruar ose të udhëhequr ose të qeverisur nga Hamasi” – tha Kirby.

Shtetet e Bashkuara kanë bërë thirrje që një Autoritet Palestinez i reformuar ta marrë nën kontroll qeverisjen e Gazës pas përfundimit të luftës. Sidoqoftë, kjo ide është refuzuar nga Izraeli i drejtuar nga kryeministri Benjamin Netanyahu.

Edhe komuniteti ndërkombëtar po bën thirrje që Autoriteti Palestinez ta qeverisë Gazën, duke marrë parasysh se ai tashmë ka një pjesë të infrastrukturës për ta realizuar qeverisjen. Legjitimiteti i Autoritetit Palestinez mungon në mesin e palestinezëve, por palët po shpresojnë se kjo do të ndryshojë pas një vargu të reformave.

Një zyrtar izraelit zbuloi të enjten se një aspekt i planit tashmë është duke u çuar përpara dhe argumentoi se Autoriteti Palestinez nuk duhet të përfshihet në qeverisjen e Gazës së pasluftës, duke e theksuar dështimin e këtij autoriteti për ta dënuar sulmin e Hamasit më 7 tetor ndaj Izraelit, kur raportohet se u vranë 1.200 njerëz e 253 të tjerë u morën peng.

Kur u pyet për planin e paraqitur nga Izraeli gjatë një vizite në Argjentinë të premten, sekretari i Shtetit i ShBA-së, Antony Blinken, tha se ai “do ta rezervojë gjykimin” derisa t’i shohë të gjitha hollësitë, por se Uashingtoni është kundër çfarëdo “ripushtimi” të Gazës pas luftës.

“Gaza... nuk mund të jetë platformë për terrorizëm. Nuk duhet të ketë ripushtim izraelit të Gazës. Madhësia e territorit të Gazës nuk duhet të zvogëlohet” – tha kryediplomati amerikan në Buenos Aires.

Në planin e paraqitur nga Netanyahu përcaktohet që ushtria izraelite do të ketë “liri të pakufizuar” për të operuar në mbarë Rripin e Gazës për të parandaluar ndonjë rishfaqje të aktivitetit terrorist.

Lajme të ngjashme