Piloti 17-vjeçar bëhet më i riu që fluturon vetë përreth botës
Një pilot adoleshent britaniko-belg është bërë personi më i ri që fluturon vetë përreth botës me një aeroplan të vogël.
Mack Rutherford, 17 vjeç, aterroi në Sofie të Bullgarisë pas shëtitjes 5-mujore nëpër 52 shtete, shkruan BBC.
Gjatë fluturimeve, Mack-u, me prindër britanikë por i rritur në Belgjikë, u ballafaqua me stuhi rëre në Sudan dhe e kaloi natën në një ishull të pabanuar në Oqeanin Paqësor.
Motra e tij më e madhe, Zara, është vajza më e re që ka flutuar vetë përreth botës. Ajo e përfundoi fluturimin e saj në janar të këtij viti dhe zbuloi se i ka dhënë këshilla vëllait. Zara udhëtoi për në Sofie për t’u takuar me vëllanë, kur ai u kthye përsëri në vendin ku e nisi fluturimin.
Deri tani, rekordin për pilotin më të ri që ka fluturuar vetë përreth botës e mbante britaniku Travis Ludloë, i cili kishte 18 vjet e 150 ditë, kur e përfundoi fluturimin vitin e kaluar.

Pas shënimit të rekordit, Mack-u i inkurajoi të tjerët. “Ndiqni ëndrrat tuaja, nuk ka rëndësi sa vjeç jeni. Punoni shumë dhe ecni përpara për t’i arritur qëllimet tuaja”, tha ai.
Gjatë fluturimit, ai kaloi nëpër Evropë, Azi, Afrikë, Shtete të Bashkuara, mbi dy oqeane. Mack-u rrjedh nga një familje pilotësh. Ai u nis nga kryeqyteti bullgar më 23 mars. Gjatë kësaj periudhe, u ballafaqua me vapën ekstreme në Dubai e mbylljen e papritur të aeroporteve në Indi.
Në një intervistë të mëhershme për televizionin CNN, ai i ka përshkruar vendet e bukura që ka parë, përfshirë botën e egër në Kenia e pamjen e qytetit të Nju Jorkut nga qielli.

Kur u pyet se çfarë planesh ka për të ardhmen, ai tha: “Unë do të vazhdoj që të fluturoj. Po mendoj për diçka si forcat ajrore, por nuk jam i sigurt 100 për qind për asgjë. Pasi ta përfundoj këtë, vetëm duhet të përqendrohem në shkollë dhe të mundohem që t’i zë mësimet sa më shumë që mundem.”
Si rezultat i përpjekjeve të tij, ai ka thyer dy rekorde Guinness – duke u bërë personi më i ri që fluturon vetë përreth botës si dhe personi më i ri që sillet rreth botës me një aeroplan të vogël e të lehtë.
Aeroplani që e përdori adoleshenti quhet “Shark”, është shumë i lehtë dhe mund të arrijë shpejtësi deri në rreth 300 kilometra në orë.
Motra Zara tha se ajo vazhdimisht mundohej që të qëndronte në kontakt me vëllanë dhe t’i ndihmonte atij gjatë fluturimit.
“Prindërit tanë e kanë telefonuar atë përditë dhe unë jam bërë pjesë e atyre bisedave. I kam dhënë këshilla gjatë rrugës, gjatë fluturimit, në mënyrë që të isha e dobishme për të”, tha ajo.
I riu ka thënë më parë se ka dashur që të bëhet pilot që nga mosha 3-vjeçare dhe e arriti ëndrrën në shtatorin e vitit 2020, kur i plotësoi kushtet për leje në moshën 15-vjeçare./Nacionale
