Pesë trupa pa koka gjenden pranë një rruge në Meksikë
Trupat pa koka të pesë burrave janë gjetur në një rrugë në pjesën qendrore të Meksikës, në një zonë të kontrolluar nga karteli i fuqishëm, Gjenerata e Re Jalisco.
Policia u telefonua për të shkuar në një rrugë afër qytezës Ojuelos, në shtetin Jalisco, të dielën në mëngjes, pasi vozitësit e automjeteve kishin vërejtur qese plastike ku ndodheshin mbetjet e pesë burrave, raporton televizioni BBC.
Ekspertët e forenzikës janë munduar që t’i identifikojnë viktimat, thanë zyrtarët meksikanë.
Brutaliteti i vrasjeve dhe hedhja e trupave në një vend publik janë tregues të qartë të përfshirjes së kartelit të drogës.
Në vendin e ngjarjes shkuan edhe trupa të gardës kombëtare dhe i gjetën mbetjet e mbështjella në qese të zeza plastike, thuhet në një deklaratë të zyrës së prokurorit shtetëror në Jalisco.
Mosha e asnjërës viktimë nuk mund të përcaktohej ende dhe një hetim për rastin është nisur, u tha më tej në deklaratë.
Në Jalisco këtë vit, shifrat zyrtare tregojnë për 1 mijë e 415 njerëz të vrarë nga janari deri në shtator.
Më shumë se 30 mijë njerëz vriten çdo vit në Meksikë, shtet më njërën ndër shkallët më të larta të vrasjeve në botë.
Javën e kaluar, kryetari i një qyteti meksikan të goditur nga dhuna e drogës u vra më pak se një javë pas marrjes së detyrës.
Alejandro Arcos u vra në Chilpancingo, qytet me rreth 280 mijë njerëz në shtetin jugperëndimor, Guerrero.
Presidentja Claudia Sheinbaum, që u betua në detyrë javën e kaluar, e ka përjashtuar rikthimin e vendit në luftën ndaj drogës si në administratat e mëparshme.
Ajo tha se plani i saj i sigurisë do të përqendrohet në grumbullimin e të dhënave të inteligjencës për kartelet e drogës dhe në adresimin e shkaktarëve socialë të dhunës./Nacionale