Pesë të vdekur nga rrëzimi i një aeroplani të vogël në ShBA, përfshirë tre fëmijë
Pesë persona, përfshirë tre fëmijë, vdiqën nga rrëzimi i një aeroplani të vogël në Tennessee të Shteteve të Bashkuara, pasi piloti kishte raportuar për humbje të plotë të fuqisë motorike të hënën në mbrëmje, sipas një zyrtari të Bordit Kombëtar për Sigurinë e Transportit.
Aeroplani ishte duke fluturuar nga Mount Sterlind për në Nashville, kur u rrëzua rreth pesë kilometra nga aeroporti “John Tune”, tha Aaron McCarter, hetues i sigurisë ajrore të martën, raporton “ABC News”.
Fluturimi ishte nisur fillimisht nga Ontario i Kanadasë, para se të bënte ndalje në Erie të Pensilvanisë dhe në Mount Sterling, shtoi hetuesi McCarter. Të gjithë pasagjerët ishin shtetas kanadezë dhe autoritetet po punojnë me homologët kanadezë për t’i identifikuar viktimat.
Kulla e kontrollit në aeroportin “John Tune” kishte marrë një porosi për humbje të fuqisë së motorit të aeroplanit rreth orës 19 e 40 minuta dhe piloti kishte kërkuar leje për aterrim, që i ishte dhënë, sipas Don Aaron-it, drejtor i çështjeve publike në Departamentin e Policisë në Nashville.
Kontrolli i trafikut ajror, që ishte në komunikim me pilotin, shpalli gjendje urgjente në emër të pilotit dhe i ofroi asistencë për aterrim. Megjithatë, aeroplani bëri një kthesë në formën e shkronjës U dhe u përplas në rrugën “Interstate 40 East”, tha McCarter.