Pesë punëtorë shëndetësorë vriten në Liban, Izraeli thotë se vrau komandantë të Hezbollahut - NACIONALE

Pesë punëtorë shëndetësorë vriten në Liban, Izraeli thotë se vrau komandantë të Hezbollahut

6 muaj më parë

nga NACIONALE

Në lagjen e Bejrutit që kontrollohet nga Hezbollahu, Dahieh, u raportua për dy sulme ajrore natën e kaluar. Izraeli thotë se është duke e vënë në shënjestër “infrastrukturën terroriste”.

Ndërkohë, në jug të Libanit, autoritetet thonë se pesë punëtorë shëndetësorë u vranë nga një sulm në qytezën Derdghaiya, raporton televizioni BBC.

Në anën tjetër, Izraeli thotë se ka vrarë dy komandantë ushtarakë të Hezbollahut që ishin prapa sulmeve me raketa në veri të Izraelit.

Ky zhvillim erdhi pasi të mërkurën, dy izraelitë u vranë nga raketat afër kufirit me Libanin. Hezbollahu nuk i ka komentuar vdekjet.

Pas vdekjes së pesë punëtorëve, numri i përgjithshëm i punëtorëve shëndetësorë që janë vrarë që nga fillimi i operacionit izraelit në Liban muajin e kaluar ka shkuar në të paktën 115.

Forca e Mbrojtjes Civile Libaneze thotë se punëtorët shëndetësorë ishin duke pritur në një qendër të improvizuar për reagim urgjent në një kishë në qytezën jugore, Derdghaiya, kur objekti u godit nga një sulm ajror izraelit.

Autoritetet thonë se pesë punëtorë u vranë, por ende janë duke u bërë kërkime në rrënoja për ndonjë viktimë tjetër të mundshme.

Qeveria e Libanit i ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të bëjë më shumë për parandalimin e sulmeve të tilla, për të cilat thotë se i shkelin ligjet e luftës./Nacionale

Lajme të ngjashme