Pesë foshnja vdesin nga kolla e mirë në Angli, shtohen shumë rastet
Pesë foshnja në Angli kanë vdekur pas diagnostikimit me kollën e mirë (pertusis), kanë thënë zyrtarët shëndetësorë, në kohën e rritjes së shpejtë të numrit të rasteve.
Më shumë se 2.700 raste me kollë të mirë janë raportuar në mbarë Anglinë deri më tani në vitin 2024 – më shumë se trefish më shumë se numri i regjistruar gjatë tërë vitit të kaluar, raporton gazeta “The Guardian”.
Sipas shifrave të Agjencisë për Siguri Shëndetësore të Britanisë së Madhe, deri në fund të marsit janë raportuar 2.793 raste, në krahasim me 858 raste për tërë vitin 2023. Nga 2.793 rastet e regjistruara, më shumë se gjysma (50,8 për qind) ishin te personat e moshës 15-vjeçare ose më të rritur, ndërsa 28,6 për qind te fëmijët e moshave 10 deri 14 vjeç.
Agjencia për Siguri Shëndetësore tha se kanë ndodhur pesë raste të vdekjes së foshnjave mes janarit dhe fundit të marsit.
Epidemiologjia e kësaj agjencie, Dr. Gayatri Amirthalingam, tha: “Kolla e mirë mund të prekë njerëz të të gjitha moshave, por për foshnjat shumë të reja mund të jetë tepër e rrezikshme. Mendimet dhe ngushëllimet tona janë për ato familje që e kanë humbur foshnjën e tyre në mënyrë kaq tragjike.”
Sipas të dhënave të përkohshme, në mars janë raportuar 1.319 raste me kollë të mirë.
Infeksioni bakterial, i njohur edhe si pertusis, i prek mushkëritë dhe kanalet e frymëmarrjes.
Kolla e mirë përhapet lehtë dhe quhet edhe “kolla 100-ditëshe” për shkak të kohës së gjatë që nevojitet për t’u shëruar prej saj.