Peruja goditet nga një tërmet i fuqishëm prej 7,0 shkallësh
Një tërmet i fuqishëm prej 7,0 shkallësh ndodhi të premten në rajonin jugor të Perusë, Arequipa, thanë zyrtarët lokalë, duke shtuar se nuk është raportuar për ndonjë person të vdekur.
Drejtori i Menaxhmit të Rreziqeve nga Fatkeqësitë dhe Mbrojtjes Kombëtare në Ministrinë e Shëndetësisë, David Aponte, e njoftoi radion lokale, RPP, vetëm për tre persona të lënduar lehtë, raporton agjencia “Reuters”.
Pas tërmetit, Arequipa u godit edhe nga katër dridhje të tjera me fuqi prej 4 deri në 4,6 shkallë, duke shkaktuar disa rrëshqitje dheu në rrugë lokale.
Qeveria tha në rrjete sociale se ishte duke e vëzhguar gjendjen për ta vlerësuar dëmin dhe “për t’i përcaktuar veprimet që do të merren”.
Qendra Kombëtare për Paralajmërime për Cunami e ShBA-së kishte thënë se kishte rrezik për cunami nga tërmeti, duke shtuar se valë me lartësi prej një deri në tri metra ishin regjistruar në disa pjesë të bregdetit të Perusë.
Kryeministri Gustavo Adrianzen, megjithatë, tha se paralajmërimi për cunami në bregdetin e rajonit Arequipa ishte shfuqizuar.
Carlos Zanabria, këshilltar i qeverisë rajonale në Arequipa, tha në një radio se ishte raportuar për dëme materiale në disa distrikte dhe se banorët ishin larguar nga shtëpitë për shkak të frikës, por se ai nuk kishte dëgjuar raportime për të lënduar ose të vdekur.
Peruja shtrihet në atë që njihet si Unaza e Zjarrtë e Paqësorit, zonë e gjerë përreth Oqeanit Paqësor me aktivitet të lartë sizmik.