Peruja e dënon ish-presidentin Vizcarra me 14 vjet burgim për korrupsion
Një gjykatë në Peru të mërkurën e dënoi ish-presidentin e vendit, Martin Vizcarra, me 14 vjet burgim, pasi e shpalli fajtor për marrje të ryshfetit disa vjet para se të vinte në pushtet, duke e shtuar në listën e ish-udhëheqësve të burgosur për korrupsion.
Sipas vendimit të gjykatës, Vizcarra kishte pranuar ryshfet në vlerë të 676 mijë dollarëve nga kompanitë e ndërtimit në këmbim të kontratave për punë publike, kur po shërbente si guvernator i rajonit jugor, Moquegua, nga viti 2011 deri më 2014, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Gjatë gjykimit që kishte nisur në tetor, Vizcarra i mohoi akuzat, duke pretenduar se ai ishte viktimë e një përndjekjeje politike. Ai erdhi në pushtet në vitin 2018, pasi paraardhësi i tij kishte dhënë dorëheqje, por ishte rrëzuar dy vjet më pas nga Kongresi në kohën e hetimeve për marrje ryshfeti.
“Kjo nuk është drejtësi, është hakmarrje, por ata nuk do të më thyejnë” – shkroi Vizcarra në rrjetin X pas shpalljes së vendimit.
Ekipi i tij ligjor konfirmoi se e kishte apeluar vendimin me të cilin Vizcarra-s gjithashtu i ndalohet mbajtja e posteve publike për nëntë vjet.
Vëllai i tij i madh, Mario Vizcarra, planifikon që të garojë në zgjedhjet presidenciale që pritet të mbahen në prillin e vitit të ardhshëm. Ai do të jetë kandidat i partisë “Peruja i Pari”, ku ish-presidenti ka shërbyer si këshilltar kyç.
“Përgjigjja ndodhet në kabinën e votimit. Vëllai im, Mario Vizcarra, do ta vazhdojë këtë luftë” – tha ish-presidenti.
Dënimi i tij është një fitore tjetër e profilit të lartë për ekipin e prokurorëve që po e hetojnë skandalin “Lava Jato”, skemë masive e pagesave që e përfshin kompaninë braziliane të ndërtimit, “Odebrecht”, tani e njohur si “Novonor”./Nacionale