"Përshkallëzim i pakontrollueshëm": Rusia kundër idesë për paqeruajtës të NATO-s në Ukrainë
Rusia të enjten e kundërshtoi idenë që vendet e NATO-s të dërgojnë trupa paqeruajtëse në Ukrainë në rast të një armëpushimi me Rusinë, duke thënë se një lëvizje e tillë do të rrezikonte që të shkaktonte një “eskalim të pakontrollueshëm”.
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, tha se kjo ide është tërësisht e papranueshme për Rusinë, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Në një konferencë për gazetarë, ajo iu referua deklaratave të fundit nga kryeministri britanik, Keir Starmer, dhe ministri i Mbrojtjes i Britanisë, Boris Pistorius, për mundësinë që shtetet e tyre mund të kontribuojnë me trupa në një forcë paqeruajtëse në Ukrainë.
Pistoriusi tha në një intervistë më 18 janar se Gjermania, si partnerja më e madhe e NATO-s në Evropë, “qartazi do të kishte një rol për ta luajtur” dhe se çështja do të diskutohej në kohën e duhur.
Kryeministri britanik tha më 16 janar se Britania kishte qenë duke e diskutuar idenë për një forcë paqeruajtëse me aleatë të tjerë dhe se “ne do ta luajmë pjesën tonë të plotë”.
Rusia thotë se është e hapur për dialog me presidentin amerikan, Donald Trump, i cili ka thënë se synon që t’i japë fund shpejt luftës në Ukrainë.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, i cili po synon të takohet me Trumpin, tha të martën se të paktën 200 mijë trupa paqeruajtëse evropiane do të nevojiteshin për të parandaluar një sulm të ri rus pas arritjes së ndonjë marrëveshjeje armëpushimi./Nacionale