Përsërit kryeministrja e Danimarkës: Grenlanda nuk është në shitje
Kryeministrja e Danimarkës, Mette Fredriksen, tha të hënën se Grenlanda nuk është në shitje, pasi sekretari i Shtetit i ShBA-së, Marco Rubio, kishte thënë javën e kaluar se interesimi i presidentit Donald Trump për ta blerë ishullin gjigant “nuk është shaka”.
“Grenlanda sot është pjesë e Mbretërisë së Danimarkës. Ajo është pjesë e territorit tonë dhe nuk është në shitje” – tha zonja Fredriksen para një takimi joformal të udhëheqësve të BE-së në Bruksel, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Trumpi ka thënë se do ta bëjë territorin autonom të Danimarkës pjesë të Shteteve të Bashkuara dhe nuk e ka përjashtuar përdorimin e mjeteve ushtarake ose ekonomike për ta bindur Danimarkën që ta dorëzojë atë.
Kryeministrja daneze shtoi të hënën se ajo pajtohet me pikëpamjen e Shteteve të Bashkuara se rajoni i Arktikut po bëhet gjithnjë më i rëndësishëm, kur bëhet fjalë për sigurinë dhe mbrojtjen.
“Atëherë, nëse kjo ka të bëjë me sigurimin e pjesës sonë të botës, ne mund të gjejmë një rrugë përpara” – tha ajo.
Javën e kaluar, Rubio tha në emisionin “The Megyn Kelly Show” se Trumpi dëshiron që ta blejë Grenlandën dhe nuk e ka përjashtuar shtrëngimin ushtarak për ta siguruar ishullin në mënyrë që të mos e heqë levën nga tavolina.
“Kjo nuk është shaka. Kjo nuk ka të bëjë me blerjen e tokës me qëllim të blerjes së tokës. Kjo është në interesin tonë kombëtar dhe duhet të zgjidhet” – tha kryediplomati amerikan./Nacionale