Përplasje mes Spanjës e Meksikës: S’u ftua mbreti, s’shkon as kryeministri - NACIONALE

Përplasje mes Spanjës e Meksikës: S’u ftua mbreti, s’shkon as kryeministri

1 vit më parë

nga NACIONALE

Një përplasje diplomatike mes Meksikës e Spanjës është rihapur, pasi presidentja e zgjedhur e shtetit të Amerikës Latine, Claudia Sheinbaum, ka refuzuar që ta ftojë Mbretin Felipe të Spanjës në inaugurimin e saj, sepse ai nuk kishte kërkuar falje për krimet e kryera kundër njerëzve indogjenë të Meksikës gjatë pushtimit para 500 vjetëve.

Më 2019, presidenti i Meksikës, Andres Manuel Lopez Obrador, u kishte shkruar Mbretit Felipe dhe Papa Françeskut, duke u bërë thirrje që të kërkonin falje për “abuzimet” e periudhës pushtuese dhe kolonialiste, raporton gazeta “The Guardian”.

Në atë kohë, Qeveria e Spanjës kishte refuzuar që të kërkonte falje, duke thënë se “thellësisht” e refuzonte” letrën dhe përmbajtjen e saj, duke shtuar: “Arritja e spanjollëve në tokën meksikane para 500 vjetëve nuk mund të gjykohet pas shqyrtimeve bashkëkohore. Popuujtë tanë ngushtë të lidhur gjithmonë kanë ditur se si ta shikojnë historinë tonë të përbashkët pa zemërim dhe nga një perspektivë e përbashkët, si popuj të lirë me trashëgimi të përbashkët dhe të ardhme të jashtëzakonshme.”

Kjo përgjigje nuk e ka bindur pasardhësen e Lopez Obradorit, presidenten tashmë të zgjedhur, e cila ka thënë se thirrja e paraardhësit të saj është shpërfillur troç.

“Fatkeqësisht, letra në fjalë nuk ka marrë asnjëherë përgjigje drejtpërdrejt, siç e kërkon praktika më e mirë diplomatike” – tha ajo në një deklaratë.

“Në vend të kësaj, një pjesë e letrës u zbulua në media dhe Ministria e Jashtme e Spanjës pastaj lëshoi një deklaratë për shtyp. Qeveria meksikane nuk ka pranuar një qartësim të drejtpërdrejtë, as përgjigje në lidhje me këtë çështje” – shtoi presidentja meksikane.

Edhe pse kryeministri socialist i Spanjës, Pedro Sanchez, është ftuar për të marrë pjesë në ceremoninë e betimit, që do të mbahet më 1 tetor, ftesë nuk ka marrë Mbreti Felipe.

Mospërfillja e mbretit e nxiti Spanjën që të njoftonte se nuk do të marrë pjesë në inaugurimin e presidentes meksikane “në asnjë nivel”.

Duke folur në një konferencë për gazetarë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, Sanchez-i tha: “Spanja dhe Meksika janë popuj vëllazëror. Prandaj, ne nuk mund ta pranojmë përjashtimin kështu. Për këtë arsye, ne i kemi bërë të ditur Qeverisë meksikane se nuk do të ketë asnjë përfaqësues diplomatik nga Qeveria spanjolle, si shenjë proteste.”

Presidenti i deritashëm i Meksikës ishte zotuar për mbrojtjen e njerëzve të varfër dhe indogjenë të vendit. Ndryshe nga miliona meksikanë me raca të përziera, ai ka prejardhje pothuajse të plotë spanjolle, pasi gjyshërit kishin emigruar nga Asturias dhe Cantabria, që ndodhen në veri të Spanjës./Nacionale

Lajme të ngjashme