Përplasje e rrallë: Argjentina e akuzon Spanjën për “varfëri e vdekje” ndaj spanjollëve - NACIONALE

Përplasje e rrallë: Argjentina e akuzon Spanjën për “varfëri e vdekje” ndaj spanjollëve

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Spanja i ka dënuar komentet e Presidencës së Argjentiës, e cila e ka akuzuar Qeverinë e Spanjës se po i sjell “varfëri e vdekje” popullit spanjoll.

Zyra e presidentit argjentinas, Javier Milei, kishte publikuar një deklaratë në rrjetin X, duke e akuzuar kryeministrin spanjoll, Pedro Sanchez, për dëmtim të ekonomisë dhe stabilitetit të Spanjës, raporton gazeta “The Guardian”.

Postimi duket se ishte reagim i komenteve të mëhershme të ministrit të Transportit të Spanjës, Oscar Puente, i cili gjatë një diskutimi në një panel në Salamanca të premten, kishte sugjeruar se presidenti argjentinas kishte gëlltitur “substanca” gjatë fushatës zgjedhore të vitit të kaluar.

Zyra e Mileit lëshoi një deklaratë të shtunën, duke i dënuar komentet e ministrit spanjoll dhe duke e sulmuar kryeministrin Sanchez.

Presidenca argjentinase e akuzoi kryeministrin e Spanjës për “rrezikim të grave spanjolle përmes lejimit të imigrimit të paligjshëm” dhe për rrezikim të integritetit të Spanjës përmes lidhjes së marrëveshjeve me separatistë, aludim për një pakt që partia e Sanchezit ka nënshkruar me parti baske dhe katalane për ta formuar kabinetin e ri qeveritar, duke sugjeruar se politikat e tij majtiste kanë sjellë “vdekje dhe varfëri”.

Kjo deklaratë nxiti qortim nga Ministria e Jashtme e Spanjës, e cila tha: “Qeveria spanjolle kategorikisht i hedh poshtë fjalët e pabazuara... të cilat nuk i pasqyrojnë marrëdhëniet mes dy shteteve dhe popujve të tyre vëllazërorë.”

Pas zgjedhjes së Mileit president, populist djathtist që erdhi në pushtet në dhjetor, marrëdhëniet mes Argjentinës dhe Spanjës, e qeverisur nga një koalicion majtist i udhëhequr nga partia e Sanchezit, janë ftohur në masë të konsiderueshme.

Milei do të udhëtojë në Spanjë pas dy javëve për të marrë pjesë në një tubim të organizuar nga partia opozitare e së djathtës ekstreme, Vox, e cila është në garë me socialistët në zgjedhjet evropiane të muajit të ardhshëm./Nacionale

Lajme të ngjashme