Përplasen trenat në Indi, së paku tetë të vdekur - NACIONALE

Përplasen trenat në Indi, së paku tetë të vdekur

1 javë më parë

nga NACIONALE

Të paktën tetë njerëz vdiqën dhe disa të tjerë u lënduan, kur një tren udhëtarësh u përplas të martën me një tren mallrash në shtetin qendror indian, Chhattisgarh, thanë zyrtarët.

Treni i mallrave nuk ishte në lëvizje në kohën e aksidentit, ndërsa treni i pasagjerëve u përplas në të nga pjesa e prapme, duke i dëmtuar disa nga vagonët e parë të trenit të pasagjerëve, tha para gazetarëve zëvendëskryeministri rajonal, Arun Sao.

Në pamje televizive shihet vagoni i parë i dëmtuar i trenit të udhëtarëve pjesërisht i vendosur mbi vagonin e fundit të trenit të mallrave, përderisa policia dhe ekipet e shpëtimit po mundoheshin që të nxirrnin të mbijetuar dhe një turmë njerëzish po shikonin nga binarët paralelë.

Autoritetet e hekurudhave thanë se për këtë incident do të zhvillohet një hetim i hollësishëm, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Rrjeti hekurudhor i Indisë është i katërti më i madhi në botë dhe ka qenë duke iu nënshtruar një transformimi prej 30 miliardë dollarësh me trena të rinj e stacione moderne.

Megjithatë, aksidentet me trena nuk janë të rralla në këtë shtet. Njëri nga vitet më të rënda ishte 2023-ta, kur tre trena u përplasën në shtetin jugor Odisha, duke lënë të vdekur 288 njerëz.

Lajme të ngjashme