Përplasen partitë e Netanyahut e ministrit Ben Gvir: Akuza për zbulim sekretesh e ngacmim për "pacemaker"-in në zemër - NACIONALE

Përplasen partitë e Netanyahut e ministrit Ben Gvir: Akuza për zbulim sekretesh e ngacmim për "pacemaker"-in në zemër

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Partia e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, duket se po e akuzon ministrin e Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben Gvir, për zbulim të bisedave private, pasi mediat hebraike raportuan se Netahyahu kishte bërë ofertë për ta përfshirë Ben Gvirin në një grup të kufizuar të anëtarëve të kabinetit për të pranuar vlerësime të sigurisë në këmbim të përkrahjes së tij për një projektligj kundërthënës që e rregullon emërimin e rabinëve komunalë.

“Artikujt janë plot pasaktësi. Kryeministri Netanyahu i tha ministrit Ben Gvir një gjë të thjeshtë: kushdo që dëshiron të jetë partner në një ekip të kufizuar të konsultimeve për sigurinë, duhet të dëshmojë se ai nuk është duke zbuluar sekrete shtetërore ose biseda private” – tha partia e kryeministrit, Likud, raporton gazeta “The Times of Israel”.

Si kundërpërgjigje, partia e Ben Gvirit, Otzma Yehudit, deklaroi se mbështet një ligj që u kërkon anëtarëve të kabinetit për t’iu nënshtruar testeve me poligraf. Partia “i bën thirrje kryeministrit që ta promovojë këtë shpejt, duke pasur parasysh se ai gjithashtu vlen për pronarët e një rregulluesi të ritmit të zemrës”. Vitin e kaluar, Netanyahut i ishte vendosur një rregullues i ritmit të zemrës, që në gjuhën angleze njihet si “pacemaker”.

Më herët këtë javë, Netanyahu njoftoi se kabineti i luftës, grup i formuar pas fillimit të luftës kundër Hamasit, ishte shpërbërë zyrtarisht pas daljes së ministrit Benny Gantz nga koalicioni.

Ben Gviri, anëtar i kabinetit të sigurisë, por jo edhe i kabinetit më të vogël të luftës, është ankuar gjatë tërë luftës se po lihet jashtë grupeve të vendimmarrjes nga kryeministri Netanyahu.

Duke iu kundërpërgjigjur deklaratës së partisë së Netanyahut, partia e Gantzit, Uniteti Kombëtar, e kritikoi udhëheqësin e Qeverisë, duke deklaruar se “dikush që beson se ekziston një ministër që po zbulon sekrete shtetërore, nuk duhet t’ia japë atij kontrollin mbi policinë izraelite dhe anëtarësinë në kabinet”.

Lajme të ngjashme