Përplasen një aeroplan udhëtarësh e një helikopter i ushtrisë në Uashington, dyshohet për dhjetëra viktima - NACIONALE

Përplasen një aeroplan udhëtarësh e një helikopter i ushtrisë në Uashington, dyshohet për dhjetëra viktima

1 vit më parë

nga NACIONALE

Administrata Federale e Aviacionit e ShBA-së tha të mërkurën natën se një aeroplan rajonal u përplas në ajër me një helikopter të tipit “Sikorsky H-60” përderisa po i afrohej aeroportit kombëtar “Reagan” në Uashington.

Fluturimi i aeroplanit ishte nisur nga Kansasi, sipas Administratës Federale të Aviacionit. Sipas uebfaqes së kompanisë “American Airlines”, aeroplani kishte kapacitet për 65 pasagjerë, raporton gazeta "The Guardian".

Policia tha se shumë agjenci janë përfshirë në një operacion të kërkim-shpëtimit në Lumin Potomac, që ndodhet afër aeroportit.

Duke folur në një konferencë për gazetarë, komandanti i zjarrfikësve në Uashington, John Donnelly, tha se 300 pjesëtarë të ekipeve emergjente janë duke zhvilluar kërkime në ujë.

Presidenti amerikan, Donald Trump, tha se përplasja mes aeroplanit dhe helikopterit të ushtrisë amerikane afër Uashingtonit “është dashur të parandalohej”.

“Pse nuk i tregoi kulla e kontrollit helikopterit se çfarë të bënte, në vend se ta pyeste nëse po e shihte aeroplanin? Kjo është një situatë e keqe që duket sikur do të duhej të parandalohej. JO MIRË” – shkroi kreu i Shtëpisë së Bardhë në rrjetin social “Truth Social”.

Kompania “American Airlines” ka konfirmuar se në aeroplan ndodheshin 64 persona: 60 pasagjerë dhe katër anëtarë të ekuipazhit. Një zyrtar amerikan tha se në helikopter ndodheshin tre ushtarë.

Shefi ekzekutiv i kompanisë “American Airlines”, Robert Isom, tha: “Ne jemi duke punuar në mënyrë aktive me autoritetet lokale, shtetërore e federale rreth përpjekjeve për reagimin emergjent. Ekipi i kujdesit i “American Airlines” është aktivizuar për t’u asistuar pasagjerëve tanë dhe familjeve të tyre.”

Senatori Roger Marshall nga Kansasi televizionit CNN i tha: “Unë nuk jam budalla. Asnjë autoambulancë nuk ka dalë nga ky vend. Kjo është një situatë e llahtarshme.”

Aeroporti “Reagan” tha të mërkurën vonë se të gjitha aterrimet dhe nisjet ishin ndërprerë, përderisa personeli për situata urgjente po i përgjigjej incidentit./Nacionale

Në videon e mëposhtme mund të ndiqni transmetim të drejtpërdrejtë nga vendi i ngjarjes:

Lajme të ngjashme