Përplasen dy trena në Indonezi, të paktën katër të vdekur - NACIONALE

Përplasen dy trena në Indonezi, të paktën katër të vdekur

2 muaj më parë

nga NACIONALE

Një tren u përplas në një tren tjetër në një stacion afër kryeqytetit të Indonezisë të hënën, duke lënë të vdekur të paktën katër njerëz, dhjetëra të tjerë të lënduar e disa të ngujuar në një vagon të dëmtuar rëndë, thanë zyrtarët e shtetit të largët aziatik.

Rreth 40 pasagjerë u dërguan në spitale për trajtim, tha në një deklaratë kompania shtetërore e hekurudhave “PT Kereta Api Indonesia”, raporton agjencia e lajmeve “Associated Press”.

Treni i linjës së gjatë Argo Bromo Anggrek u përplas në vagonin e fundit të një treni tjetër që ishte ndalur në stacionin Bekasi Timur. Vagoni ishte caktuar vetëm për gra. Ekipet e shpëtimit punuan për të arritur te pesë pasagjerët e ngujuar në vagonin e dëmtuar.

Zyrtarët thanë se të gjithë 240 pasagjerët në trenin tjetër ishin të sigurt.

Komandanti i policisë në Xhakartë, Asep Edi Suheri, u tha gazetarëve në vendin e ngjarjes se policia ishte duke e hetuar shkaktarin e aksidentit.

Kompania shtetërore e hekurudhave u kërkoi falje klientëve.

Aksidentet janë të zakonshme në rrjetin hekurudhor që po vjetrohet në Indonezi. Në janarin e vitit 2024, dy trena u përplasën në provincën e Javës Perëndimore, duke lënë të vdekur të paktën katër njerëz.

Në tetorin e vitit 2013, një tren udhëtarësh u përplas me një minibus në një kryqëzim mbi binarë në Javën Perëndimore. 13 njerëz kishin vdekur.

Lajme të ngjashme