Përpjekje për sulm ndaj refugjatëve sirianë, arrestohen 21 persona në Qipro
Policia në Qipro ka thënë se ka arrestuar 21 persona dhe ka përdorur gaz lotsjellës e topa uji, pasi një grup i qipriotëve grekë me shkopinj në duar ishin munduar që t’i sulmonin sirianët që po protestonin në një fshat të vogël që ka qenë vatër e tensioneve mes vendësve e imigrantëve.
Policia tha të martën se protestat nga rreth 250 sirianë dhe po aq qipriotë grekë në fshatin Chloraka, në pjesën jugperëndimore të ishullit, të hënën në mbrëmje u shndërruan në dhunë, përderisa numra më të vegjël të protestuesve nga të dyja grupet kishin nisur që t’ua vinin flakën shportave të mbeturinave dhe rrethojës së një ndërtese, raporton “ABC News”.
Policët kundër trazirave arritën që t’i mbanin të dyja grupet të ndara, ndërsa një polic pësoi djegie të shkallës së dytë në dorë nga një koktej molotovi që ishte hedhur nga protestuesit.
Zëdhënësi i policisë, Christos Andreou, i tha të martën televizionit shtetëror se përleshjet kishin nisur, kur grekët qipriotë ishin përpjekur që t’i sulmonin imigrantët. Ai tha se nëntë qipriotë grekë dhe 12 imigrantë ishin ndaluar nga policia.
Përleshjet e së hënës mbrëma erdhën pas dhunës së të dielës, kur dy imigrantë dhe një qipriot grek u ndaluan, pasi qindra banorë në Chloraka marshuan në protestë kundër atij që e quajtën “getoizim” të fshatit të tyre për shkak të numrit të madh të imigrantëve të vendosur atje në vitet e fundit.
Andreou tha se protesta u bë e dhunshme, kur grupe më të vogla të protestuesve u futën me tërbim nëpër fshat, ku pretendohet se sulmuan një imigrant, dëmtuan një restorant në pronësi të një imigranti dhe përmbysën një veturë.
Presidenti i Qipros, Nikos Christodoulides, i dënoi fuqishëm incidentet, duke thënë para gazetarëve se dhuna nuk zgjidh asgjë dhe vetëm sjell më shumë dhunë.