Përmbytet një barkë me emigrantë në Kanalin Anglez, të paktën gjashtë të vdekur
(E plotësuar) Së paku gjashtë persona vdiqën dhe më shumë se 50 të tjerë u shpëtuan, pasi një barkë me emigrantë që po mundoheshin nga kalonin Kanalin Anglez nga Franca u përmbyt të shtunën, thanë autoritetet lokale.
Kryetari i një qyteze franceze, Franck Dhersin, tha se një operacion i gjerë shpëtimi u nis rreth orës gjashtë të mëngjesit, pasi dhjetëra barka me emigrantë u munduan që ta kalonin Kanalin Anglez në të njëjtën kohë, raporton agjencia “Reuters”.
“Disa nga barkat ishin duke u ballafaquar me vështirësi serioze. Afër (qytezës bregdetare) Sangatte, ata fatkeqësisht gjetën trupa të vdekur”- tha zyrtari francez.
Prefektura detare konfirmoi se ka pasur të paktën një të vdekur dhe tha se operacionet e kërkim-shpëtimit ishin duke vazhduar.
Kanali Anglez, që e ndan Francën nga Britania e Madhe, është njëra nga rrugët më të ngarkuara detare dhe rrymat e ujit atje janë të fuqishme, duke e bërë të rrezikshëm lundrimin e barkave të vogla.
Trafikuesit e njerëzve zakonisht i stërngarkojnë barkat, të cilat mezi qëndrojnë mbi ujë, duke i lënë njerëzit në rrezik nga përmbytja.
