Përmbytet barka në Nigeri, së paku 26 njerëz mbyten në ujë
Së paku 26 njerëz u mbytën në ujë, kur një barkë që po bartte tregtarë u përmbyt në lumen Niger në rajonin Kogi të Nigerisë, tha të enjten një zyrtar rajonal. Ky ishte aksidenti më i ri vdekjeprurës në rrugë ujore në shtetin e Afrikës Perëndimore.
Komisionari për Informim në Kogi, Kingsley Fanwo, tha në një deklaratë se pasagjerët ishin duke udhëtuar të mërkurën nga distrikti Ibaji në shtetin Kogi drejt një tregu në Ilushi, në shtetin fqinj Nigerian Edo, kur barka e tyre u përmbyt, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Aksidentet me barka janë të zakonshme në Nigeri, ku operatorët shpesh i stërngarkojnë ato dhe i shpërfillin rregulloret e sigurisë si përdorimi i jelekëve shpëtues, pavarësisht paralajmërimeve të përsëritura nga autoritetet.
Aksidentet zakonisht shtohen gjatë periudhës së reshjeve, e cila tani është në kulmin e saj, kur niveli i ujit në lumenj rritet dhe rrymat e ujit forcohen.
Barkat mbeten formë jetike e transportit në pjesët rurale të Nigerisë, ku infrastruktura rrugore është shpesh jo e duhur, por zbatimi i standardeve të sigurisë vazhdon të çalojë.