Përleshje mes ushtrisë siriane e forcave të udhëhequra nga kurdët në Aleppo, vritet një ushtar - NACIONALE

Përleshje mes ushtrisë siriane e forcave të udhëhequra nga kurdët në Aleppo, vritet një ushtar

1 vit më parë

nga NACIONALE

Një ushtar i forcave qeveritare siriane u vra gjatë përleshjeve me Forcat Demokratike Siriane (SDF) që udhëhiqen nga kurdët në provincën veriore të Aleppos të martën, raportoi agjencia shtetërore siriane e lajmeve, SANA, duke e cituar Ministrinë e Mbrojtjes.

Në mars, SDF-ja u pajtua me Qeverinë e re të Sirisë që të bëhej pjesë e institucioneve shtetërore si pjesë e përpjekjeve për ribashkimin e vendit të përçarë nga lufta civile 14-vjeçare. Qëllimi i marrëveshjes ishte që të hapej rruga që SDF-ja, e cila e ka nën kontroll çerekun e Sirisë, dhe organet qeverisëse rajonale kurde të riintegroheshin me Damaskun, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Megjithatë, në pakt nuk tregohej se si do të shkrihej SDF-ja në forcat e armatosura qendrore të Sirisë. SDF-ja më parë ka thënë se luftëtarët e saj duhet t’i bashkohen ushtrisë si një bllok, ndërsa Damasku dëshiron që ata të integrohen si individë.

Ministria e Mbrojtjes tha të martën se SDF-ja duhet t’i përmbahet marrëveshjes dhe ta ndërpresë shënjestrimin e forcave qeveritare, duke paralajmëruar se “vazhdimi i këtyre veprimeve do të çojë në pasoja të reja”, raportoi agjencia SANA.

Të shtunën, një burim qeveritar i tha kësaj agjencie se Damasku nuk do të marrë pjesë në takimet e planifikuara me SDF-në në Paris.

Shpresa e presidentit të përkohshëm, Ahme dal-Sharaa, për ta bashkuar vendin nën pushtetin e Qeverisë së udhëhequr nga islamistët ndërlikohet nga përzierja e grupeve sektare e etnike të vendit.

Shumica e popullsisë siriane i takon besimit islam sunit, ndërsa në mesin e pakicave përfshihen alavitët, të krishterët, druzët, shiitët e ismailët. Përderisa shumica e vendit përbëhet nga arabët, Siria gjithashtu ka një pakicë të konsiderueshme kurde./Nacionale

Lajme të ngjashme