Përleshje e dhunshme mes protestuesve pro- e anti-izraelitë në Los Angeles - NACIONALE

Përleshje e dhunshme mes protestuesve pro- e anti-izraelitë në Los Angeles

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Përleshje të dhunshme shpërthyen të dielën mes protestuesve pro- dhe anti-izraelitë në Los Angeles të Shteteve të Bashkuara, pasi këta të fundit mbajtën një protestë afër sinagogës “Adas Torah”, ku po mbahej një panair izraelit i patundshmërive.

Sipas gazetës “Los Angeles Times”, një person u arrestua nën dyshimin se po bartte një “flamur me thumba”, përcjell gazeta “The Times of Israel”.

Televizioni “CBS News” raportoi se oficerë policorë me armë në gjendje gatishmërie ndaluan dy persona që po u bërtisnin protestuesve nga një veturë. Policët u panë duke tërhequr një fëmijë të vogël nga automjeti.

Sipas raportimeve, protestuesit pro-palestinezë e anti-izraelitë u munduan që ta bllokonin hyrjen e sinagogës në Bulevardin “Pico”, ku po mbahej një organizim për një investim patundshmërie në Izrael.

Në pamje të publikuara në rrjete sociale, të paktën njëri prej protestuesve anti-izraelitë mund të dëgjohet duke brohoritur “Është vetëm një zgjidhje, revolucion i intifadës [kryengritjes]”.

Kur u pyet për dhunën, rabini Hertzel Illunian televizionit CBS i tha: “Ajo nuk përket këtu. Nuk mendoj se hebrenjtë do të shkonin para një xhamie ose të krishterët do të shkonin para një xhamie për të bërë një gjë të tillë, askush nuk do ta pranonte këtë, por këtu, kur bëhet fjalë për hebrenjtë dhe Izraelin, gjithçka është e drejtë, gjithçka është në rregull.”

Në pamje u panë policë e persona të tjerë që përpiqeshin të ndërhynin mes palëve, para se turma të shpallej tubim i paligjshëm.

Policët me pajisje kundër trazirave e pastruan zonën përballë sinagogës, edhe pse kacafytjet vazhduan të shpërthenin në zonën përreth përleshjes kryesore.

Nuk pati raportime zyrtare për lëndime. Megjithatë, të paktën një person u pa me fytyrë të gjakosur.

Lajme të ngjashme