Përgatitje ndaj kërcënimeve, Finlanda do të ndërtojë barriera në kufirin me Rusi
Qeveria e Finlandës po planifikon të amendojë legjislacionin e kufirit për të lejuar ndërtimin e barrierave në kufirin e saj lindor me Rusinë, në një lëvizje për të forcuar gatishmërinë kundër kërcënimeve hibride në mes të pushtimit rus të Ukrainës.
Finlanda, e cila aktualisht po aplikon për anëtarësim në aleancën ushtarake të NATO-s, ka një histori luftërash me Rusinë, megjithëse aktualisht zona kufitare e mbuluar me pyje midis dy vendeve është shënuar vetëm me shenja dhe vija plastike për pjesën më të madhe të gjatësisë së saj prej 1300 km.
Qeveria finlandeze ka nxituar të forcojë sigurinë kufitare pasi ka frikë se Rusia mund të përpiqet të ushtrojë presion mbi Finlandën duke dërguar azilkërkues në kufijtë e saj - siç e akuzoi Bashkimi Evropian Bjellorusinë në fund të vitit të kaluar, kur qindra emigrantë nga Lindja e Mesme , Afganistani dhe Afrika u dërguan për në kufirin polak.
Ndryshimet e qeverisë në ligj përfshijnë një propozim për të mundësuar përqendrimin e pritjes së kërkesave për azil vetëm në pika të veçanta hyrjeje, pasi dihet se sipas rregullave ekzistuese të BE-së, migrantët kanë të drejtë të kërkojnë azil në çdo pikë hyrjeje në një vend anëtar të BE-së.
Ndërsa, ndryshimet e planifikuara do të lejojnë ndërtimin e barrierave të tilla si gardhe si dhe rrugë të reja për të lehtësuar patrullimin kufitar në anën finlandeze.
“Më vonë, qeveria do të vendosë për barrierat kufitare në zonat kritike në kufirin lindor, në bazë të vlerësimit të Gardës Kufitare finlandeze”, tha në një deklaratë ministrja e punëve të Brendshme Krista Mikkonen.