Perëndimi: Ukraina s’e ka kaluar vërtet as vijën e parë të rusëve, koha më e zorshme e luftës - NACIONALE

Perëndimi: Ukraina s’e ka kaluar vërtet as vijën e parë të rusëve, koha më e zorshme e luftës

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Disa javë pas fillimit të kundërsulmit të forcave ukrainase kundër ushtrisë pushtuese ruse në pjesët lindore e juglindore të Ukrainës, zyrtarët perëndimorë po theksojnë se sa i vështirë po del të jetë misioni për çlirimin e territoreve, sipas rrëfimeve të katër zyrtarëve të lartë amerikanë e perëndimorë, të cilët janë të njoftuar me të dhënat më të reja të inteligjencës.

“Ata ende do të shohin, në disa javë të ardhshme, nëse ekziston mundësia për të bërë ca progres, por që ata të bëjnë progres që do ta ndryshonte balancën e këtij konflikti, mendoj unë, është tepër, me shumë pak gjasa”- i tha televizionit CNN një diplomat i lartë perëndimor.

Sfida kryesore për forcat ukrainase është vështirësia e vazhdueshme për të depërtuar në linjat shumështresore të mbrojtjes së rusëve në pjesët lindore dhe jugore të vendit, të cilat janë të mbushura me dhjetëra mijëra mina dhe rrjete të gjera të llogoreve. Forcat ukrainase kanë pësuar humbje tronditëse atje, duke i bindur komandantët ukrainas që të mbajnë prapa ca njësi për t’u rigrupuar dhe për t’i pakësuar rastet fatale.

“Rusët kanë një numër të linjave të mbrojtjes dhe ata (ukrainasit) nuk kanë depërtuar vërtet nëpër linjën e parë. Edhe nëse do t’i vazhdonin luftimet për disa javë të ardhshme, nëse nuk kanë qenë në gjendje që të bëjnë ndonjë përparim të madh gjatë këtyre shtatë, tetë javëve të fundit, cilat janë gjasat që ata papritmas t’i bëjnë ato, me forca më të varfëruara? Sepse kushtet janë shumë të vështira”- tha një diplomat i lartë perëndimor.

Një zyrtar i lartë amerikan tha se ShBA-ja i njeh vështirësitë me të cilat janë duke u ballafaquar forcat ukrainase, edhe pse e mban shpresën për progres të ri.

“Ne të gjithë e pranojmë se kjo po zhvillohet më vështirë e më ngadalë se që do t’i pëlqente secilit – përfshirë ukrainasit – por ne ende besojmë se ka kohë dhe hapësirë që ata të mund të bëjnë progres”- tha zyrtari amerikan.

Disa zyrtarë thanë se afrimi i vjeshtës, kur moti dhe kushtet e luftimeve pritet të përkeqësohen, u ofron forcave ukrainase dritare të kufizuar për të lëvizur përpara.

Për më tepër, zyrtarët perëndimorë thonë se progresi i ngadalshëm e ka shpërfaqur vështirësinë e transformimit të forcave ukrainase në njësi të mekanizuara luftarake të kombinuara, nganjëherë me vetëm tetë javë trajnime për përdorimin e tankeve dhe armëve të tjera të ofruara nga Perëndimi. Mungesa e progresit në terren është njëra nga arsyet pse forcat ukrainase kanë sulmuar më shpesh brenda territorit rus “në përpjekje për ta shfaqur brishtësinë ruse”, tha një zyrtar i lartë ushtarak i ShBA-së.

Lajme të ngjashme