Përçarje në Izrael, Netanyahu kundër pauzave taktike të ushtrisë gjatë luftimeve në Gaza
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, i ka kritikuar planet e njoftuara nga ushtria të dielën për të mbajtur pauza taktike të përditshme në luftime përgjatë njërës prej rrugëve kryesore që çojnë në Gaza për ta lehtësuar shpërndarjen e ndihmave në enklavën palestineze.
Ushtria izraelite kishte njoftuar pauza ditore nga ora 5 e mëngjesit deri në orën 16:00 në zonën e pikëkalimit “Kerem Shalom” për në rrugën “Salah al-Din” e pastaj drejt veriut, raporton agjencia “Reuters”.
“Kur kryeministri i dëgjoi raportimet për një pauzë humanitare 11-orëshe në mëngjes, ai iu drejtua sekretarit të tij ushtarak dhe bëri të qartë se kjo ishte e papranueshme për të” – tha një zyrtar izraelit.
Ushtria qartësoi se operacionet normale do të vazhdonin në Rafah, që është fokus i operacionit të saj në Gazën jugore, ku të shtunën u vranë tetë ushtarë izraelitë.
Reagimi nga Netanyahu i vuri në pah tensionet politike për hyrjen e ndihmave në Gaza, ku organizatat ndërkombëtare kanë paralajmëruar për një krizë humanitare në rritje.
Ministri i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben Gvir, i cili udhëheq një parti nacionaliste e religjioze në koalicionin e Netanyahut, e dënoi idenë e pauzave taktike, duke thënë se kushdo që e ka marrë këtë vendim, është “budalla” që duhet ta humbë vendin e punës.
Kjo mosmarrëveshje është më e reja në vargun e disa përplasjeve mes anëtarëve të koalicionit dhe ushtrisë rreth zhvillimit të luftës në Gaza.
Ajo vjen një javë pasi ish-gjenerali Benny Gantz u tërhoq nga Qeveria, duke e akuzuar Netanyahun për mungesë të një strategjie efikase për Gazën.