Për ta kursyer ujin, Maroku i goditur nga thatësia i mbyll hamamet nga tri ditë në javë
Me vite, Fatima Mhattar ka mirëpritur dyqanxhinj, studentë, punëtorë bankash dhe pensionistë në hamamin “El Majd”, banjë publike në periferi të kryeqytetit maroken, Rabat. Me pak para, ata relaksohen në mjegullën e avullit, pastaj fërkohen dhe pastrohen bashkë me miqtë dhe fqinjët e tyre.
Banjat publike – të quajtura hamame në gjuhën arabe – me shekuj kanë qenë fiksim i jetës marokene. Brenda dhomave të tyre me kupola, burra e gra, pavarësisht nga shtresa shoqërore, bëhen bashkë. Njerëzit ulen në pllaka guri nën tjegulla mozaikësh, fërkohen me sapunë tradicionalë të zinj dhe pastrohen me ujë shumë të nxehtë nga kova plastike, raporton agjencia “Associated Press”.
Megjithatë, hamamet janë bërë “viktimat” e fundit në kohën e kërcënimeve të pashembullta me të cilat ballafaqohet vendi nga ndryshimi i klimës dhe një thatësi 6-vjeçare që zyrtarët e kanë quajtur katastrofale. Qytete në mbarë shtetin e Afrikës Veriore kanë lëshuar urdhra që hamamet të mbyllen nga tri ditë në javë këtë vit për ta kursyer ujin.
Zonja Mhattar buzëqeshi, përderisa i përshëndeti familjet që po bartnin kova 10-litërshe plot me peshqirë, sandale e gjësende të tjera për banjë drejt hamamit ku ajo punon si recepsioniste. Megjithatë, ajo brengoset se si këto kufizime do ta zvogëlojnë vëllimin e klientëve dhe si do ta prekin edhe pagën e saj.
“Edhe kur është i hapur nga e enjtja deri të dielën, shumica e klientëve e shmangin ardhjen, sepse kanë frikë se [hamami] është plot me njerëz” – tha Fatima.
Reshjet e pakta të shiut dhe temperaturat më të larta i kanë tkurrur rezervuarët më të mëdhenj të Marokut, duke frikësuar bujq e komuna që mbështeten në ujin e tyre. Vendi po bën zgjedhje të dhimbshme, duke i llogaritur ndryshimin e klimës dhe thatësinë.
Vendimi për të futur në fuqi kufizime ndaj bizneseve, përfshirë hamamet dhe autolarjet ka zemëruar disa njerëz. Një grup vizitorësh të hamameve dhe politikanësh po sugjerojnë se Qeveria po zgjedh fitues e humbës përmes vendimit për të mos ua kufizuar ujin disa hoteleve e pishinave më të shtrenjta si dhe sektorit të bujqësisë, i cili e shfrytëzon sasinë më të madhe të ujit të Marokut.
“Kjo masë nuk duket se e sjell dobinë më të madhe, sidomos pasi sektori [i hamameve] nuk konsiderohet si njëri nga sektorët që konsumon më së shumti ujë” – tha Fatima Zahra Bata, anëtare e Dhomës së Përfaqësuesve të Markout, duke i dërguar pyetje me shkrim muajin e kaluar ministrit të Brendshëm, Abdelouafi Laftit.
Mbyllja e pjesshme e hamameve prek rreth 200 mijë njerëz të punësuar drejtpërdrejt ose tërthorazi në këtë sektor, i cili bën pjesë me rreth 2 për qind të konsumimit total të ujit në vend, sipas agjencisë kombëtare të statistikave.
Disa vizitorë të hamameve thonë se mbyllja e pjesshme e tyre duket se po e ngre vetëdijen për thatësinë, pavarësisht se sa ujë kursejnë ata. Hanane El Moussaid, 37 vjeçe, e mbështet këtë nismë.
“Nëse ka më pak ujë, unë e parapëlqej pirjen para shkuarjes në hamam” – tha ajo.
Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli