Për Rusinë, ai është tradhtar - për Ukrainën, një rus që po lufton kundër vendit të vet - NACIONALE

Për Rusinë, ai është tradhtar - për Ukrainën, një rus që po lufton kundër vendit të vet

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Në periferi të Kievit, pas radhëve të pafund të blloqeve banesore të stilit sovjetik, ndodhet një qendër rehabilitimi e mbushur me trupa ukrainase që janë lënduar në vijën e frontit.

Aty ka pacientë me dëmtim të nervave, djegie, thyerje, madje edhe me këmbë të amputuar. Duket se këmbët e duart e të gjithëve kanë plagë nga copëzat e predhave.

Stepan Kaplunov është shtrirë në një shtrat me strukturë të çuditshme, duke e lëvizur këmbën para e prapa. Të dyja këmbët iu thyen në betejë, kur një predhë tanku shpërtheu afër tij.

Me kokë të rruar, mjekër të gjatë e disa tatuazhe, ai duket si secili ushtar ukrainas në qendër, përpos që është rus. Shtetësia ruse është e vetmja që e ka, shkruan CNN.

I lindur në Ivanovo, rreth 240 kilometra në verilindje të Moskës, ai u rrit në veriun e skajshëm të Rusisë dhe më vonë u bë pjesë e ushtrisë ruse, duke shërbyer edhe në Siri. Ai na i tregoi dokumentet e identifikimit për ta dëshmuar shtetësinë ruse.

Veten e përshkruan si “kundërshtar të qeverisë ruse dhe regjimit presidencial”, ndërsa presidentin rus, Vladimir Putin, “tiran që po mundohet ta rikthejë BRSS-në”.

Megjithatë, ai thotë se kurrë nuk është ndier i shtyrë që të veprojë sipas qëndrimit të tij opozitar, deri më 2014, kur Rusia pushtoi një pjesë të Ukrainës – Gadishullin e Krimesë dhe një pjesë të rajonit Donbas.

“Kjo më preku”, i tha ai televizionit CNN përmes një përkthyesi. “Nuk do të them se 100 për qind e motivit tim është pikërisht drejtësia. Është prirje e njerëzve, e njerëzve që u pëlqejnë aventurat, rrezikimi. Kisha qenë ushtar më herët dhe desha që t’i zbatoj shkathtësitë e mia. Kisha keqardhje për Ukrainën, mendova se Ukraina kishte të drejtë dhe meritonte që t’i ndihmohej”, tha burri rus.

Kështu, ai e kaloi kufirin dhe iu bashkua Batalionit të Azov-t – atëherë grup militant i luftëtarëve më të ashpër të Ukrainës, shumë prej të cilëve ishin ultranacionalistë dhe supremacistë të bardhë.

Kaplunov-i thotë se iu afrua këtij batalioni, sepse ishte grupi më i lehtë për anëtarësimin e luftëtarëve të huaj dhe tashmë njihte pjesëtarë të tij, në krahasim me ideologjinë e së djathtës ekstreme.

“Nuk kisha shumë zgjedhje. Ndoshta do të kisha shkuar në një batalion tjetër ose në një njësi të rregullt ushtarake të Ukrainës, por kisha të njohur vetëm në Azov, prandaj shkova atje”, thotë burri rus.

Frika nga kapja

Batalioni i Azov-it është bërë pjesë e ushtrisë së rregullt ukrainase dhe është përpjekur që të distancohet nga prejardhja e tij ekstremiste, edhe pse Rusia ende e cilëson këtë batalion si grumbull të neo-nazistëve.

Civilët që kanë ikur nga luftimet përmes territorit të kontrolluar nga Rusia, kanë raportuar se janë kontrolluar për tatuazhe që mund të japin shenja për lidhjet me Batalionin e Azov-it ose me nacionalizmin e së djathtës ekstreme.

Kaplunov-i, që thotë se u largua nga Azov-i pas dy vjetëve dhe lëvizi nëpër njësite të tjera të ushtrisë ukrainase, me krenari shfaq një tatuazh “i lindur për të vrarë” në krahun e tij të majtë, bashkë me frazën gjermane, “Sieg oder Tod”, që do të thotë “fitore ose vdekje”, slogan lufte i përdorur gjerësisht në beteja në histori, por edhe e lidhur me Raihun e Tretë të nazizmit.

“Kjo është motoja ime në jetë. Më pëlqeu mënyra se si tingëllonte dhe mënyra se si ishte e shkruar”, tha ai.

Kur Rusia e nisi pushtimin e Ukrainës në shkurt, Kaplunov-i thotë se ishte duke mbrojtur një fshat në periferi të Kievit me një pushkë dhe një raketahedhës. Në pamjet e kapura nga kamera e vendosur në helmetë, që ai i tregoi, shihen kolegë të lënduar dhe tanke ruse të djegura. Në fund, ai u godit nga një predhë tanku.

Kaplunov-i thotë se më parë do të kishte vdekur sesa të kapej, sepse kishte frikë që, nëse do të kapej, do të vritej, do të torturohej ose do të burgosej.

Shërimi i tij do të zgjasë disa muaj, nëse jo më gjatë. Sidoqoftë, ai thotë se kur t’i kthehet shëndeti i plotë, do të shkojë përsëri në luftë./Përktheu: Nacionale

Lajme të ngjashme