Pentagoni: Ukraina ka pranuar aeroplanë shtesë dhe pjesë për riparim - NACIONALE

Pentagoni: Ukraina ka pranuar aeroplanë shtesë dhe pjesë për riparim

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Pentagoni ka thënë se ushtria ukrainase ka pranuar aeroplanë shtesë dhe pjesë për riparimin e aeroplanëve të dëmtuar që ata të fluturojnë përsëri.

Ukraina i ka sfiduar pritjet e aleatëve dhe ekspertëve ushtarakë, jo vetëm duke i mbajtur të operueshme forcat ajrore gati dy muaj pas fillimit të luftës, por edhe duke i riparuar aeroplanët, raporton agjencia “Reuters”.

Zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby, nuk dha hollësi se cilat shtete i kanë ofruar aeroplanë Ukrainës, por i pranoi dërgesat e reja dhe tha se Ukraina ka më shumë aeroplanë të operueshëm se para dy javëve.

“Ata kanë pranuar aeroplanë shtesë dhe pjesë të aeroplanëve për t’u ndihmuar që të kenë më shumë aeroplanë në ajër”, tha Kirby, duke shtuar se Uashingtoni nuk i ka dhuruar aeroplanë Kievit.

Megjithatë, kjo mund të ndryshojë së shpejti. Shtetet e Bashkuara kanë njoftuar plane për dërgimin e aeroplanëve të prodhimit rus në Ukrainë, të cilët dikur kanë qenë të planifikuar për Afganistanin.

Më shumë se 50 ditë pas fillimit të luftës, qielli i Ukrainës është ende i kontestuar, pjesërisht për shkak të sistemeve të mbrojtjes ajrore dhe aeroplanëve e helikopterëve të saj.

Lajme të ngjashme