Pentagoni thotë se Rusia do të dislokojë 10 mijë trupa të Koresë së Veriut kundër Ukrainës
Departamenti i Mbrojtjes i Shteteve të Bashkuara ka thënë se Koreja e Veriut ka dërguar rreth 10 mijë trupa në Rusi për t’u trajnuar dhe për të luftuar në luftën e Ukrainës brenda “disa javëve të ardhshme”. Udhëheqësit perëndimorë thonë se ky veprim do ta intensifikojë konfliktin dhe do t’i tund marrëdhëniet në rajon.
Disa prej ushtarëve të Koresë së Veriut tashmë janë vendosur më afër Ukrainës, tha të hënën zëdhënësja e Pentagonit, Sabrina Singh, dhe besohet se janë nisur drejt rajonit kufitar rus, Kursk, kur Rusia ka pasur vështirësi për t’i dëbuar forcat ukrainase që kishin nisur një operacion atje në gusht.
Më herët të hënën, sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, i konfirmoi raportimet e inteligjencës ukrainase se disa njësi ushtarake të Koresë së Veriut tashmë ndodheshin në rajonin Kursk, raporton gazeta "The Guardian".
Presidenti i Koresë së Jugut, Yoon Suk-yeol, tha se ky zhvillim paraqet kërcënim ndaj sigurisë globale.
“Ky bashkëpunim i paligjshëm ushtarak mes Rusisë dhe Koresë së Veriut është kërcënim domethënës i sigurisë ndaj komunitetit ndërkombëtar dhe do të mund të paraqiste rrezik serioz ndaj sigurisë sonë kombëtare”- tha ai.
Duke i përforcuar shqetësimet rreth bashkëpunimit në rritje mes dy vendeve për luftën e Rusisë në Ukrainë, mediat shtetërore të Koresë së Veriut thanë të martën se një delegacion i udhëhequr nga ministrja e Punëve të Jashtme, Choe Son Hui, është larguar nga Penjani për një vizitë zyrtare në Rusi, pa dhënë hollësi. Ambasada e Rusisë në Penjan tha se vizita po zhvillohet “brenda kornizës së një dialogu strategjik”.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, e ka quajtur dislokimin e trupave të Koresë së Veriut në Rusi “të rrezikshëm, shumë të rrezikshëm”.
Sekretari i Mbrojtjes i ShBA-së, Lloyd Austin, dhe kryediplomati amerikan, Antony Blinken, do të takohen me homologët e tyre nga Koreja e Jugut këtë javë në Uashington.
Zëdhënësja e Pentagonit tha se Austini dhe homologu i tij, Kim Yong-hyun, do të diskutojnë për dislokimin e ushtarëve të Koresë së Veriut në Ukrainë. Ajo shtoi se nuk do të ketë kufizime rreth përdorimit të armëve të dhuruara nga Shtetet e Bashkuara ndaj atyre forcave.