Pentagoni me marrëveshje 200-milionëshe me kompaninë e Muskut për chatbotin “Grok”
Departamenti i Mbrojtjes i Shteteve të Bashkuara ka nënshkuar një kontratë me vlerë të 200 milionë dollarëve për ta filluar përdorimin e chatbotit të inteligjencës artificiale “Grok”, i cili është zhvilluar nga kompania “xAI” e miliarderit Elon Musk, si pjesë e një nisme më të gjerë për të përdorur vegla të inteligjencës artificiale për qëllime qeveritare, ka konfirmuar Pentagoni.
E njoftuar të hënën nga kompania “xAI”, kontrata është pjesë e programit të saj, “Grok për Qeverinë”, dhe është në vijë me shtysën e administratës së presidentit Donald Trump për zbatim më të madh të inteligjencës artificiale, raporton televizioni BBC.
Marrëveshja vjen vetëm disa ditë pasi chatboti “Grok” kishte nxitur shumë reagime për shkak të postimeve antisemite, përfshirë vlerësimin pozitiv për Adolf Hitlerin në rrjetin X, i cili gjithashtu është në pronësi të Muskut.
Miliarderi ka thënë se chatboti është “shumë i dëgjueshëm” dhe “shumë i etur për të ofruar kënaqësi” dhe se çështja ishte duke u adresuar.
Sipas kompanisë “xAI”, marrëveshja e re do t’u japë qasje departamenteve të administratës amerikane në versionin më të ri të chatbotit, “Grok 4”, dhe do të ofrojë mjete të personalizuara për përdorim në fushën e sigurisë kombëtare.
Kompania gjithashtu planifikon që të ofrojë mbështetje teknike për mjedise të klasifikuara.
Pentagoni njoftoi kontrata të ngjashme edhe me kompanitë “OpenAI”, “Google” dhe “Anthropic” – secila me kufi maksimal financiar prej 200 milionë dollarësh.
“Zbatimi i inteligjencës artificiale është duke e transformuar aftësinë e Departamentit (të Mbrojtjes) për t’i mbështetur luftëtarët tanë dhe për të mbajtur përparësi strategjike mbi armiqtë tanë” – tha zytari i lartë për digjitalizim dhe inteligjencë artificiale, Doug Matty./Nacionale