Pengia e liruar izraelite “me shëndet shumë më të mirë se që prisnim”, thotë nëna e saj
Pengia e liruar izraelite, Emily Damari, “ka shëndet shumë më të mirë se që prisnim ne”, tha nëna e saj, Mandy Damari, në një deklaratë të lëshuar përmes Forumit të Familjeve të Pengjeve dhe të Zhdukurve.
“Dje, unë më në fund arrita që ta përqafoja Emily-n, njësoj siç kisha ëndërruar për një kohë të gjatë” – tha nëna e penges së liruar, duke e falënderuar publikun për mbështetjen e palëkundur gjatë 15 muajve të luftës. “Ju jeni një pjesë integruese e familjes së Emily-t” – shtoi ajo, raporton gazeta “The Times of Israel”.
“Ishte gëzim i madh që të kapja një pamje – bashkë me pjesën tjetër të botës – të fuqisë, vendosmërisë dhe karizmës së Emily-t, kur ajo u lirua” – vazhdoi nëna e saj. “Sipas vetë fjalëve të Emily-t, ajo është gruaja më e lumtur në botë; asaj i është kthyer jeta.”
Duke e çmuar “qëndrueshmërinë e jashtëzakonshme” të së bijës, Mandy thotë se rruga e saj drejt rimëkëmbjes është “vetëm duke nisur” dhe kërkon privatësi për Emily-n dhe pjesën tjetër të familjes.
Bashkë me gëzimin e saj, zonja Mandy e përmendi edhe faktin se edhe 94 pengje mbeten në duart e Hamasit dhe bëri thirrje që të armëpushimi të mbetet i paprekur “derisa edhe pengu i fundit të kthehet në shtëpi, në familjen e vet”.
Më herët të hënën u raportua se Izraeli ka liruar rreth 90 të burgosur palestinezë, pasi Hamasi kishte liruar tri pengje izraelite si pjesë e armëpushimit të arritur me ndërmjetësimin e Shteteve të Bashkuara, Katarit e Egjiptit.