Pasi u rizgjodh, Kimi i Koresë premton zhvillim të ekonomisë në pesë vitet e ardhshme
Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, tha se vendi i tij do ta forcojë dhe zhvillojë cilësinë e ekonomisë së vet gjatë pesë viteve të ardhshme, raportoi të martën agjencia shtetërore e lajmeve, KCNA.
Që nga java e kaluar, Koreja Veriore ka qenë duke e mbajtur Kongresin e Nëntë Partiak të Partisë së Punës, në të cilin përcaktohen qëllimet kryesore politike për pesë vitet në vijim, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Kongresi vazhdoi edhe të hënën, kur anëtarët filluan që të përcaktonin plane dhe qëllime për pesë vitet e ardhshme për sektorë të ndryshëm, përfshirë ushtrinë, politikën e jashtme, industrinë dhe bujqësinë, raportoi agjencia KCNA.
Duke i quajtur pesë vitet e ardhshme “fazë e progresit të shkallës së plotë” gjatë fjalimit që e mbajti të hënën, Kimi bëri thirrje për mendim, teknologji dhe kulturë revolucionarizuese në mënyrë që projektet të menaxhohen mirë me kalimin e kohës, sipas mediave shtetërore.
KCNA-ja tha se presidenti kinez, Xi Jinping, i dërgoi Kimit një mesazh për ta uruar për rizgjedhjen në postin e sekretarit të përgjithshëm të Partisë së Punës.
Ndërkohë, Kim Yo Jong, motra me ndikim e Kim Jong Un-it, u promovua në detyrë. Sipas KCNA-së, ajo u emërua drejtoreshë e një departamenti të partisë. Më parë, ajo ishte zëvendësdrejtoreshë.