Pasi u pajtua për ta hequr bllokadën ndaj ndihmave, Izraeli vret 20 palestinezë në Gaza
Izraeli e vazhdoi operacionin ushtarak në Gaza të hënën, duke vrarë të paktën 20 palestinezë gjatë sulmeve ajrore natën, pasi u pajtua që të hiqte një bllokadë dymujore ndaj hyrjes së ndihmave, e cila e kishte lënë enklavën buzë vdekjes nga uria.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se vendi i tij synon që ta marrë nën kontroll tërë Gazën si pjesë e “operacioneve të gjera tokësore” të njoftuara të dielën dhe t’ua parandalojë militantëve të Hamasit plaçkitjen e dërgesave me ndihma. Hamasi ka mohuar se është i përfshirë në plaçkitje, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Ushtria izraelite tha se forcat e përfshira në operacionin e ri ishin aktive në mbarë Gazën, me synimin për t’i eliminuar kapacitetet ushtarake e qeverisëse të Hamasit dhe për ta siguruar lirimin e pengjeve që ishin kapur në tetorin e vitit 2023.
Zyra e Netanyahut tha të dielën se Izraeli do ta lehtësojë bllokadën dhe do të lejojë futje të sasive të kufizuara të ushqimit në Gaza.
Mediat palestineze thanë se 50 kamionë me miell, vaj ushqimor e bimë bishtajore do të lejohen të hyjnë në Gaza të hënën më vonë, ndërsa mediat izraelite thanë se nëntë kamionë me ushqim për foshnja pritej të hynin në enklavë orëve në vijim.
Një reporter i agjencisë “Reuters” në pikëkalimin “Kerem Shalom” që të fut në Gaza tha se nuk u pa ndonjë aktivitet deri në mëngjesin e vonë, ndërsa agjencia e OKB-së për refugjatët palestinezë, UNRWA, tha se do të komentonte për gazetarë, “atëherë kur dhe nëse ndihmat hyjnë” në Gaza.
Në një zhvillim tjetër, banorët dhe mjekët thanë se një forcë e fshehtë izraelite vrau një udhëheqës militant gjatë një bastisjeje në jug në enklavës./Nacionale