Pas vonesës, grupi amerikan i ndihmave rihap dy pika të shpërndarjes në Gaza
Një organizatë për shpërndarjen e ndihmave, e cila e gëzon mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit, tha të enjten se ishte duke rihapur dy pika të shpërndarjes në Gaza, një ditë pas mbylljes së tyre pas disa rasteve me të shtëna vdekjeprurëse afër qendrave të saj.
Fondacioni Humanitar i Gazës (GHF) me bazë në Shtetet e Bashkuara tha se vetëm dy qendra të saj në qytetin Rafah, në jug të Gazës, do të operojnë të enjten, pasi të gjitha pikat ishin mbyllur të mërkurën për punime të mirëmbajtjes. GHF-ja kishte hapur tri pika më herët këtë javë dhe njëra nga pikat që është në funksion të enjten ndodhet në një vend të ri, tha grupi, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
GHF-ja, e cila është kritikuar ashpër nga organizatat humanitare, përfshirë Kombet e Bashkuara, nën akuzat për mungesë neutraliteti, e nisi shpërndarjen e ndihmave javën e kaluar. OKB-ja ka paralajmëruar se shumica e popullsisë prej 2,3 milionë njerëzish në Gaza është në rrezik nga vdekja prej urisë pas një bllokade 11-javore nga Izraeli.
Ndërkohë, Izraeli njoftoi se i kishte tërhequr trupat e dy pengjeve izraelito-amerikane nga Gaza. Gadi Hagi dhe bashkëshortja e tij, Judy Weinstein-Hagi, ishin vrarë dhe trupat e tyre ishin marrë pas sulmit të Hamasit më 7 tetor 2023, i cili do ta nxiste fillimin e luftës. Edhe 56 pengje mbeten në robëri, ndërsa besohet se më pak se gjysma e tyre janë ende gjallë.
Ushtria izraelite i ka shpeshtuar operacionet në Gaza që nga thyerja e një armëpushimi të brishtë me Hamasin në mars, duke marrë nën kontroll më shumë territor të enklavës në përpjekje për ta çrrënjosur Hamasin.
Të paktën 20 palestinezë u vranë nga sulmet izraelite në pjesë të ndryshme të Gazës të enjten, përfshirë katër gazetarë në një spital në pjesën veriore të enklavës, thanë autoritetet shëndetësorë lokale. Ushtria tha se kishte vënë në shënjestër një militant të grupit Xhihadi Islam, i cili po operonte një qendër të komandës dhe kontrollit.
Zyra mediale qeveritare e udhëhequr nga Hamasi thotë se 225 gazetarë në Gaza janë vrarë që nga fillimi i luftës./Nacionale