Pas tensioneve për Ukrainën e tregtinë, Macroni i shkon për vizitë Melonit në Itali - NACIONALE

Pas tensioneve për Ukrainën e tregtinë, Macroni i shkon për vizitë Melonit në Itali

1 vit më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, do ta vizitojë të martën kryeministren italiane, Giorgia Meloni, në përpjekje për t’i përmirësuar marrëdhëniet në kohën e tensioneve mes dy udhëheqësve evropianë për shkak të Ukrainës, tregtisë dhe marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara.

Macroni është pro-evropian i zjarrtë që ka pasur marrëdhënie të gjata me presidentin amerikan, Donald Trump, ndërsa zonja Meloni është nacionaliste me prirje të fortë transatlantike që duket ideologjikisht më e rreshtuar me kreun e Shtëpisë së Bardhë. Macroni dhe Meloni kanë mbrojtur qasje të ndryshme – madje konkurrente – ndaj epokës së re të Trumpit, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Meloni, vendi i së cilës ka bilanc të madh pozitiv tregtar me Shtetet e Bashkuara, është munduar që ta mbajë Evropën të rreshtuar me Shtetet e Bashkuara, duke e përdorur sloganin “bëje Perëndimin të madh përsëri” në një takim me Trumpin në Uashington në prill. Në anën tjetër, Macroni ka bërë thirrje që Bashkimi Evropian të ketë një qasje më të pavarur.

Sa i përket luftës së Rusisë në Ukrainë, Meloni ka qenë skeptike për “koalicionin e vullnetit” të Macronit dhe për një plan franko-britanik të paraqitur më herët këtë vit për dërgimin e trupave paqeruajtëse në Ukrainë në rast të një marrëveshjeje të paqes. Dërgimi i ushtarëve do të ishte vendim thellësisht jopopullor në Itali.

Tensionet u shtuan publikisht javëve të fundit. Zyrtarët e afërt me Macronin dhe Melonin privatisht e haptazi i kanë kritikuar nismat e njëri-tjetrit për Ukrainën dhe tregtinë.

Meloni u kritikua në Itali pse nuk udhëoi në Kiev me Macronin dhe udhëheqësit e Gjermanisë, Britanisë e Polonisë më 10 maj dhe pastaj që nuk u bë pjesë e një telefonate me Trumpin dhe me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, në një samit në Shqipëri disa ditë më pas./Nacionale

Lajme të ngjashme