Pas takimit me Mbretëreshën, Liz Truss emërohet kryeministre e Mbretërisë së Bashkuar
Liz Truss është bërë kryeministrja e re e Mbretërisë së Bashkuar pas takimit me Mbretëreshën në Balmoral, ku asaj iu kërkua të formonte një qeveri pas dorëheqjes së Boris Johnson.
Truss, 47 vjeç, është kryeministrja e 56-të e Mbretërisë së Bashkuar dhe udhëheqësja e tretë femër. Ajo pritet të kthehet në Downing Street ku do të mbajë një fjalim para se të emërojë kabinetin e saj.
Një nga veprimet e saj të para të rëndësishme si kryeministre pritet të jetë një njoftim për planet për të trajtuar krizën e çmimeve të energjisë, me aleatët që mendohet se po diskutojnë një paketë prej 100 miliardë funtesh.
E për të shënuar rolin e ri të saj, ekipi i Truss e ka përditësuar me shpejtësi profilin e saj në Twitter. Në përshkrim shkruhet, “Kryeministrja e Mbretërisë së Bashkuar, të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut. Kryetarja e Partisë Konservatore, Deputete për Norfolkun Jugperëndimor”.
Ndërkohë, Johnson dhe gruaja e tij Carrie, kanë kaluar rreth 40 minuta në takim me Mbretëreshën. Kryeministri në largim tha në komentet e tij se ai do të mbetet besnik dhe mbështetës ndaj Truss edhe pas largimit të tij.
Ai tha se nuk do t'i ofronte qeverisë së re asgjë përveç "mbështetjes më të zjarrtë".

