Pas raketave amerikane e paralajmërimit të Rusisë, a mund të eskalojë lufta në Ukrainë? - NACIONALE

Pas raketave amerikane e paralajmërimit të Rusisë, a mund të eskalojë lufta në Ukrainë?

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, ka njoftuar se vendi i tij do ta furnizojë Ukrainën me sisteme raketore më të avancuara. Rusia tha se e sheh jashtëzakonisht negativisht këtë vendim dhe paralajmëroi se veprimi i fundit i ShBA-së e rrit rrezikun për ballafaqim të drejtpërdrejtë mes Moskës dhe NATO-s. A mund të eskalojë situata?

“Ne do të vazhdojmë që ta furnizojmë Ukrainën me armatim të avancuar, përfshirë raketat anti-tank, “Javelin”, raketat kundërajrore, “Stinger”, artileri të fuqishme dhe sisteme raketore me saktësi të lartë, radarë, automjete ajrore pa pilot, helikopterë “Mi-17” dhe municion”, shkroi presidenti amerikan, Joe Biden, në një artikull të publikuar në gazetën “The New York Times”.

Ai gjithashtu tha se nëse nuk ndëshkohet Rusia, do të përçohej mesazhi se edhe agresorë të tjerë të mundshëm mund të marrin territore. “Nëse Rusia nuk paguan një çmim të lartë për veprimet e saj, do të dërgonte mesazh te agresorët e tjerë të mundshëm se edhe ata mund të mbërthejnë territore e t’i nënshtrojnë shtetet e tjera. Kjo do ta vendoste në rrezik mbijetesën e demokracive të tjera paqësore. Kjo gjithashtu do ta shënonte fundin e rendit ndërkombëtar të mbështetur në rregulla dhe do t’ia hapte derën agresionit në vende të tjera, me pasoja katastrofike në mbarë botën”, shkroi presidenti amerikan.

Sidoqoftë, shefi i Shtëpisë së Bardhë tha se nuk sheh shenja që Rusia ka për qëllim të përdorë armë bërthamore, pavarësisht se e cilësoi të rrezikshme e të papërgjegjshme retorikën kërcënuese të Rusisë për përdorim të armëve bërthamore.

Zëvendësministri rus i Punëve të Jashtme, Sergei Ryabkov, i tha agjencisë “RIA” se Moska e sheh jashtëzakonisht negativisht pakon ushtarake të ndihmave të ShBA-së për Ukrainën.

Këto armë, që Ukraina i ka kërkuar qe një kohë të gjatë, mund të përdoren nga forcat ukrainase që t’i godasin pozicionet e armikut nga një largësi më e madhe.

Deri më tani, ShBA-ja ka refuzuar që t’i japë Ukrainës artileri me rreze të gjatë veprimi për shkak të frikës se armët e tilla do të mund të përdoreshin për t’i sulmuar caqet në territorin rus.

Çfarë ka thënë Rusia për përdorimin e armëve bërthamore?

Vetëm tri ditë pas hyrjes së forcave ruse në Ukrainë, presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, në fund të shkurtit, dha urdhër që forcat parandaluese bërthamore të vendosen në gjendje të lartë gatishmërie. Në një takim me zyrtarë të lartë rusë, Putini i urdhëroi ministrin e Mbrojtjes dhe komandantin e përgjithshëm të ushtrisë që t’i vendosnin forcat parandaluese bërthamore në “regjim special të detyrës luftarake”.

Në mars, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, i tha televizionit amerikan, “CNN”, se Rusia do të përdorte armë bërthamore vetëm nëse do të ballafaqohej me rrezikun për ekzistencë. “Ne kemi një koncept të sigurisë së brendshme dhe ai është publik. Mund t’i lexoni të gjitha arsyet për përdorim të armëve bërthamore. Pra, nëse është një kërcënim për ekzistencën e vendit tonë, atëherë (armët bërthamore) mund të përdoren në përputhje me konceptin tonë”, tha ai.

Çfarë janë armët bërthamore taktike dhe sa janë të fuqishme?

Armët bërthamore taktike janë ato që mund të përdoren në largësi relativisht të vogël. Ato dallojnë shumë mes vete sa u përket madhësisë dhe fuqisë.

Arma më e vogël bërthamore taktike mund të jetë një kiloton ose më pak (sa një mijë ton lëndë shpërthyese TNT). Më e madhja ndoshta sa 100 kilotonë, raporton televizioni “BBC”

Efektet do të vareshin nga madhësia e kokës bërthamore, lartësia e shpërthimit nga sipërfaqja e tokës dhe mjedisi lokal. Megjithatë, sa për krahasim, bomba atomike që shkaktoi rreth 146.000 viktima në Hiroshima të Japonisë në Luftën e Dytë Botërore, ishte 15 kilotonë.

Mendohet se armët më të mëdha bërthamore strategjike të Rusisë janë të paktën 800 kilotonë.

Çfarë armë bërthamore taktike ka Rusia?

Besohet se Rusia ka rreth 2.000 armë bërthamore taktike. Këto armë mund të vendosen në lloje të ndryshme të raketave, të cilat normalisht përdoren për bartjen e armëve konvencionale. Ato mund të zhvillohen në atë mënyrë që të barten me aeroplanë dhe anije.

Dy sisteme ruse që mund të bartin armë bërthamore me rreze të shkurtër

Sistemi raketor “Kalibr” (SS-N-30)

Ky është sistem me të cilin raketat lëshohen nga nëndetësja ose anija. Caku mund të jetë në tokë ose ujë. Rrezja e veprimit është nga 1.500 deri në 2.5000 kilometra. Gjatësia e një rakete është 6.2 metra.

Sistemi raketor “Iskander M” (SS-26 “Guri”)

Ky është sistem me të cilin raketat lëshohen nga automjetet ushtarake. Caku i goditjes është tokësor. Rrezja e veprimit është nga 400 deri në 500 kilometra. Gjatësia e raketës është 7.3 metra.

Si do të reagonte ShBA-ja?

Sipas Mary Glantz, anëtare e Shërbimit të Jashtëm të ShBA-së, e cila ka publikuar një artikull në Institutin e Paqes, organ federal i Shteteve të Bashkuara që merret me promovimin e zgjidhjeve të konflikteve dhe parandalimin e tyre në nivel global, ShBA-ja do të kishte disa opsione të mundshme për t’iu kundërpërgjigjur përdorimit të armëve të shkatërrimit në masë nga Rusia:

1. Shtetet e Bashkuara do të mund të përdornin armë konvencionale për t’i shkatërruar njësitet ruse që do të ishin përgjegjëse për përdorimin e armëve të shkatërrimit në masë, qofshin ato në territorin ukrainas ose në territorin rus.

2. Shtetet e Bashkuara do të mund ta shtonin në masë të madhe asistencën ushtarake për Ukrainën. Rreziku është që lufta të eskalonte, sepse Rusia do të mund ta vlerësonte këtë veprim si pjesëmarrje të drejtpërdrejtë të ShBA-së në luftë.

3. Shtetet e Bashkuara (dhe partnerët globalë) do të mund t’ia shtonin sanksionet Rusisë.

4. Shtetet e Bashkuara do të mund ta ndihmonin Ukrainën duke punuar me organizatat e tjera rajonale dhe ndërkombëtare për t’ia shtuar koston Rusinë për përdorimin e papranueshëm të forcës.

Drejtoresha e Sigurisë Kombëtare në administratën e presidentit Biden, Avril Haines, tha muajin e kaluar para Komisionit për Shërbime të Armatosura në Senat se Putini nuk do të përdorë armë bërthamore derisa të shohë kërcënim për ekzistencën e Rusisë ose të regjimit të tij.

Përgatiti: Nasuf Abdyli, Gazeta Nacionale

Lajme të ngjashme