Pas paralajmërimit të ShBA-së, Irani thotë se s’ka plane për ushtrime në Ngushticën e Hormuzit
Një zyrtar iranian ka mohuar se vendi i tij ka pasur ndonjë plan për të kryer ushtrime ushtarake me armatim të vërtetë në Ngushticën e Hormuzit këtë javë, në kohën e tensioneve të ngritura në rajon.
Duke folur për agjencinë “Reuters”, një zyrtar iranian mohoi se ushtrime të tilla janë planifikuar ndonjëherë, edhe pse një televizion shtetëror iranian, “Press TV”, të enjten kishte raportuar se forcat detare të Rojave Revolucionare të Iranit do t’i mbanin ushtrimet të dielën dhe të hënën, transmeton gazeta “The Times of Israel”.
“Nuk kishte plan që Rojat [Revolucionare] të mbanin ushtrime ushtarake atje dhe nuk ka pasur njoftim zyrtar për këtë. Vetëm raportime të mediave, të cilat ishin të gabuara” – tha zyrtari.
Të premten, ushtria amerikane lëshoi një deklaratë, duke e paralajmëruar Iranin kundër kryerjes së ushtrimeve të tilla dhe duke i bërë thirrje që ta shmangte “rrezikun e panevojshëm”.
“Komanda Qendrore e ShBA-së (CENTCOM) u bën thirrje Rojave Revolucionare që ta kryejnë ushtrimin detar në një mënyrë që është e sigurt, profesionale dhe që e shmang rrezikun e panevojshëm ndaj lirisë së lundrimit për trafikun detar ndërkombëtar. Ngushtica e Hormuzit është korridor detar ndërkombëtar dhe rrugë thelbësore tregtare që e mbështet mirëqenien ekonomike rajonale”- thuhet në këtë deklaratë.
Më tej, në të thuhet se “çfarë sjelljeje e pasigurt dhe joprofesionale afër forcave amerikane, partnerëve rajonalë ose anijeve komerciale i shton rreziqet për përplasje, përshkallëzim dhe destabilizim”.
Duke cituar disa burime, agjencia “Reuters” ka thënë se presidenti amerikan, Donald Trump, ishte duke shqyrtuar disa opsione kundër Iranit ku përfshihen sulmet e shënjestruara ndaj forcave të sigurisë.