Pas operacionit në zemër në Jordani, vogëlushja 7-muajshe kthehet në zonën e luftës në Gaza
Në një tendë të improvizuar në kampin e refugjatëve “Al-Shati”, në pjesën veriore të Rripit të Gazës, 33-vjeçarja Enas Abu Daqqa e mban vajzën e saj të vogël, Niveen, në krahët e vet. Një freskuese ajri punon në prapavijë për ta luftuar vapën e mëngjesit.
Nëna e vogëlushes brengoset se shëndeti i së bijës mund të përkeqësohet në çdo moment. Ajo është vetëm 7-muajshe dhe ishte lindur në luftë me një vrimë në zemër, raporton televizioni BBC.
Përderisa zonja Enas shpjegon se çfarë vështirësish kishte për ta mbajtur gjallë foshnjën në kohën e një sistemi shëndetësor që po shembet në Gaza, e vogla Niveen, me sytë e saj të mëdhenj ngjyrë kafeje, qan.
Mundësia e vetme që fëmija të mbijetonte ishte pranimi i kujdesit urgjent shëndetësor jashtë Gazës. Në fillim të marsit, këtë gjë e bëri të mundur Jordania.
Përderisa po respektohej një armëpushim mes Hamasit e Izraelit, 29 fëmijë të sëmurë të Gazës, përfshirë Niveen-in, u dërguan në Jordani për të marrë trajtim mjekësor në spitalet e këtij shteti. Me të shkuan edhe nëna dhe motra e saj e madhe.
Mjekët në Jordani e kryen me sukses operacionin në zemrën e vajzës së vogël dhe ajo ngadalë po fillonte ta merrte veten.
Megjithatë, rreth dy javë pas fillimit të trajtimit të fëmijës, armëpushimi në Gaza u ndërpre, kur Izraeli e rinisi ofensivën e vet kundër Hamasit dhe lufta u rikthye – me forcë të plotë.
Me javë, zonja Enas i përcolli lajmet nga dhoma e spitalit ku po i trajtohej e bija në Jordani, e brengosur për sigurinë e bashkëshortit dhe fëmijëve të tjerë, të cilët ende ndodheshin në Gaza.
Më pas, natën e 12 majit, autoritetet jordaneze i treguan Enasit se do ta kthenin bashkë me vajzat në Gaza të nesërmen, pasi thanë se fëmija e kishte përfunduar trajtimin.
Zonja Enas ishte e shokuar. “U larguam kur kishte armëpushim. Si mund të na kthenin pasi lufta kishte rinisur” – tha ajo e zemëruar.
Ajo tashmë është bashkuar me burrin dhe fëmijët e tjerë në Gaza. Familja thotë se vajza e vogël nuk e kishte përfunduar trajtimin para se të kthehej në enklavën e rrethuar dhe shqetësohet se gjendja e saj mund të përkeqësohet.
“Bija ime është në gjendje shumë të keqe që do të mund ta çonte në vdekje. Ajo ka sëmundje të zemrës. Nganjëherë ngulfatet dhe mavijoset. Ajo s’mund ta vazhdojë jetën në tendë” – tha nëna e brengosur.
Më 13 maj, Jordania njoftoi se kishte kthyer 17 fëmijë në Gaza “pas përfundimit të trajtimit”. Të nesërmen, një grup i ri prej katër fëmijësh të sëmurë u larguan nga Gaza dhe u dërguan në Jordani për trajtim./Nacionale