Pas nënës, ShBA-ja e dënon edhe babanë e adoleshentit që vrau katër nxënës më 2021 - NACIONALE

Pas nënës, ShBA-ja e dënon edhe babanë e adoleshentit që vrau katër nxënës më 2021

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Babai i një nxënësi të armatosur në Michigan, që kishte vrarë katër nxënës, është dënuar për vrasje nga pakujdesia.

Në gjykim u tha se James Crumbley, 47 vjeç, i kishte shpërfillur nevojat e shëndetit mendor të të birit 15-vjeçar, duke i blerë atij një pistoletë që e kishte përdorur gjatë sulmit në nëntor të vitit 2021, raporton televizioni BBC.

Jennifer Crumbley, bashkëshortja e tij, pritet të dënohet muajin e ardhshëm, pasi më herët ishte shpallur fajtore për të njëjtën akuzë.

Rasti kundër familjes Crumbley e shënon herën e parë që prindërit akuzohen për vrasje nga pakujdesia për rolin e fëmijës së tyre në një sulm me armë në ShBA.

Biri i tyre, Ethan-i, kishte vrarë katër nxënës në shkollën ku shkonte: Tate Myre, 16 vjeç; Hana St Juliana, 14 vjeçe; Madisyn Baldëin, 17 vjeçe; dhe Justin Shilling, 17 vjeç. Shtatë persona ishin plagosur gjatë sulmit.

Adoleshenti është duke e vuajtur dënimin me burgim të përjetshëm pa të drejtë të lehtësimit.

Steve St Juliana, babai i Hana-s, tha të enjten në mbrëmje se ndjekja penale e familjes Crumbley paraqet “vetëm hapat fillestarë”, kur bëhet fjalë për trajtimin e dhunës me armë në ShBA.

“Fëmijët tanë po vdesin përditë në vrasje masive dhe ne bëjmë shumë pak për këtë. Ne mund të dërgojmë njerëz në Hënë, mund të ndërtojmë rrokaqiej, monumente të mëdha si “Hoover Dam” dhe nuk mund t’i mbajmë të sigurt fëmijët tanë në shkolla”- tha ai.

Prokurorja Karen McDonald, duke folur në një konferencë për gazetarë me prindërit e katër viktimave, tha se vendimi “nuk i kthen fëmijët e tyre, por ai shënon një moment të llogaridhënies”.

“Këta prindër do të mund ta parandalonin këtë tragjedi me më të voglat përpjekje” – shtoi ajo.

Megjithatë, avokatja e babait të sulmuesit, Mariell Lehman, tha se “James nuk e kishte idenë se biri i tij kishte kohë të vështirë”.

Crumbley nuk dha dëshmi, ndryshe nga bashkëshortja. Jennifer Crumbley dhe burri i saj e kishin blerë pistoletën “Sig Sauer” vetëm disa ditë para se biri i tyre ta përdorte në sulm.

Lajme të ngjashme